APKE pret rezultate konkrete nga reformat e paralajmëruara në Maqedoni

349

Komisioni për ndjekje të obligimeve të vendeve-anëtare të Këshillit të Evropës, pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), në sesionin e fundit veror në Strasburg e shqyrtoi raportin gojor të raportuesve për dialogun post-monitorues me Republikën e Maqedonisë, pas vizitës së tyre të fundit në vend.

Takimet e këtij komisioni, të njohur si komisioni monitorues, u mbajtën pas dyerve të mbyllura, por Veleriu Giletski një nga raportuesit e komisionit monitorues dhe zëvendëskryetar i APKE-së, i cili ishte në delegacionin që e vizitoi Maqedoninë e konfirmoi këtë informacion.

“Ne kishim raport gojor, në vjeshtë do të kemi vizitë tjetër për të parë çka është bërë, ndërsa vitin e ardhshëm do të parashtrojmë raport me shkrim për Asamblenë parlamentare”, thotë ai.

Pas vizitës së Maqedonisë, delegacioni i APKE-së u kthye me bindjen se do të bëhen reforma konkrete.

“Kur u takuam me liderët e opozitës dhe të shumicës, u siguruam se do të bëhen reforma. Se gjërat do të bëhen konkrete. Por pamë edhe gjëra të cilat shkaktojnë shqetësim, sepse iniciativa që të ndërrohen të gjithë gjykatësit dhe masat tjera radikale, ndaj tyre duhet të veprohet me kujdes. Për një reformë të tillë radikale është e nevojshme të merret mbështetje nga të gjitha forcat politike”, thotë raportuesi.

Rreth kërkesave që të kthehet procesi i monitorimit për Maqedoninë, për shkak të krizës së gjatë për të cilën për momentin zhvillohet dialogu post-monitorues, raportuesi thotë:

“Dikur kishte zëra të cilat kërkonin të kthehet Maqedonia nën monitorim, unë atëherë thash se duhet t’i jepet shans qeverisë së re që të shihen rezultatet dhe pastaj të jepet vlerësim. Prandaj shpresoj se deri në vjeshtë kur do të vijmë sërish, do të ketë rezultate të cilat do t’i vërejmë”.

Pritet që në shtator të parashtrohet versioni i parë i projekt-raportit për dialogun post-monitorues të APKE-së me Republikën e Maqedonisë.

Comments