Objektivat kryesorë janë: Çështjet e identitetit; Unifikimi i standardeve kombëtare, Demokracia, Ekonomia, Arsimi, Barazia gjinore, Shekularizmi, të drejtat njerëzore, Gjyqësori, Sporti, Ndërveprimi, Rinia.
Qëllimi parësor i këtij projekti duhet të jetë shndërrimi i handikapit në përparësi
Pa standardizim nuk mund të mbrohet asnjë vlerë, veçmas ato që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar
Nëse nuk do të gjendet një rrugë e lejueshme, qytetëruese që do t’i bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një intence, eskatoni të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete do të shfrytëzoheshin nga të tjerët.
Popujt e qytetëruar siç janë francezët apo britanikët në vijë të afirmimit të interesave kombëtare, madje kanë formuar organizma mbinacionale vullnetare siç është projekti i Frankofonisë apo Commonwealth-i
Ja skica e dijetarit të madh, Arbën Xhaferri
Arbën Xhaferri, në vitin 2007 publikoi një platformë të posaçme mbi mënyrën e bashkëpunimit mes Kosovës, Shqipërisë dhe trevave shqiptare. Ai e ka titulluar shkrimin “Skicë për mbrothësinë e përbashkët”. Mund të shërbejë si “dekalog” për mënyrën e rrugët e bashkëpunimit mes dy shteteve të njëjtës kombësi. Gazeta Shqip, nisur dhe nga zhvillimi i mbledhjes së të shtunës mes dy qeverive të Tiranës dhe Prishtinës, po boton të plotë idenë e dijetarit të madh të kombit shqiptar, Arbën Xhaferri.
Platforma
Tashmë është bërë e pamundur që të zhvillohet një debat racional për nacionalizmin. Pas zhvillimeve tragjike gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, pas konflikteve të ndryshme etnike, kulturore, religjioze etj., anekënd botës është anatemuar nacionalizmi si faktor luftënxitës, atavist dhe jo human. Krahas këtij percepcioni negativ të fenomenit të nacionalizmit nuk mungojnë deklaratat mbi interesin nacional si vlerë parësore. Bie fjala rusët apo kinezët thonë se në Kosovë mbrohet interesi i tyre nacional, prandaj kanë qëndrim refuzues për pavarësinë e saj.
Nëse kosovarët do të thoshin se në Kosovë mbrohen interesat e shqiptarëve, atëherë ky përcaktim, pa dyshim do të anatemohej si nacionalizëm, si një ideologji retrograde, ataviste që duhet të çrrënjoset. Shpeshherë si kontrapunkt i nacionalizmit të popujve të vegjël, që bëjnë rezistencë kundër trajtimit të tyre kolonial, ose asimilimit jepet shembulli europian, ai i tolerancës, mendësisë inkluzive, kozmopolite. Gjatë përdorimit të këtyre argumenteve, megjithatë harrohet një fakt i pamohueshëm: vendlindja e nacionalizmit është Europa.
Në kuadër të qytetërimit europian konfliktet etnike janë tejkaluar falë zgjidhjes përfundimtare të çështjeve etnike, përkatësisht në sajë të arritjes së kongruencës ndërmjet përmbajtjes etnike dhe kufijve politik të shteteve. Aty ku mungon kongruenca, përkundër mirëqenies ekonomike, ende shfaqen fërkime mbi baza etnike.
Sociologu amerikan, Benedikt Anderson, me të drejtë konstaton se nacionalizmi u shfaq në skenën historike europiane në shekullin XVI kur popujt e Europës humbën besimin në librat e shenjtë, përkatësisht në të “vërtetat” e shenjta që dolën se ishin lajthitje. Rrënimi i besimit në religjion shtoi kërkesën që të gjendet një ideologji kompensuese. Së këndejmi kompensimi u gjet te nacionalizmi, te zëvendësimi i hyjnores me njerëzoren. Kështu edhe në sferën e politikës depërtoi fryma e Renesansës dhe e Humanizmit.
Çdo njeri ashtu si edhe çdo shoqëri ka nevojë inherente për siguri, për përkatësi ndaj një grupi, për adhurim, për krenari, si dhe për manifestime të fisnikërisë, të devotshmërisë ndaj një ideali. Zëvendësimi i hyjnores me njerëzoren ishte produkt europian që ndikoi në formimin e shteteve kombëtare. Ky proces kulminoi në Francë ku nacionalizmi kishte rol emancipues, përkatësisht çlirues: duke krijuar shtetin komb, shtetin nacional, njëkohësisht u arrit barazia në mes të qytetarëve, pa marrë parasysh dallimet e ndryshme ndërmjet tyre.
Qytetari më nuk ishte pronë e monarkëve, por individ i cili ishte i barabartë me të gjithë të tjerët. Shpërbërja e Jugosllavisë hapi një kapitull të ri në zgjidhjen e çështjeve etnike. Në Jugosllavi, sipas modelit rus, funksiononte ideja e kombit që ka të drejtë të udhëheqë me shoqërinë, prandaj bëheshin kategorizime të ndryshme, komb, kombësi, pakicë. Ky gradacion ishte shpeshherë në kontradiktë me realitetin. Kombësitë apo pakicat shpeshherë ishin më të mëdha sesa kombet. Bie fjala shqiptarët në ish-Jugosllavi, për kah numri, përqindja ishin në vendin e tretë, pas serbëve dhe kroatëve, por ata trajtoheshin si kombësi apo pakicë, ndërkaq malaziasit, maqedonasit, numerikisht shumë më të vegjël se shqiptarët trajtoheshin si kombe.
Ky kategorizim natyrisht nuk buronte nga realiteti, por nga teoritë hegjemoniste, nacionaliste apo raciale. Kjo padrejtësi krijonte hapësirë për fërkime ndëretnike që përfundimisht ndikuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Këto fërkime janë imanente për shoqëritë heterogjene, multietnike. Ashtu si u shpërbë Perandoria Osmane, Austro–Hungareze, apo Rusia cariste u shpërbë edhe Jugosllavia, Çekosllovakia. Sociologu zviceran, Urs Altermatt, në librin e tij “Etnonacionalizmi europian” me të drejtë konstaton se nacionalizmi në Europë pat dy lloj funksionesh kontradiktore: – ndikoi në shpërbërjen e shteteve, perandorive, formacioneve multietnike shoqërore, siç ishte Austro–Hungaria dhe ndikoi në bashkimin e shteteve të vogla feudale në një shtet kombëtar të popujve me origjinë të njëjtë siç ishin gjermanët apo italianët.
Sot, askush nuk mohon rolin pozitiv të nacionalizmit në krijimin e shteteve moderne. Populli shqiptar, pas shthurjes së Perandorisë Osmane u fragmentarizua, u nda në disa shtete: në Shqipëri, në Greqi, në Jugosllavi dhe brenda saj në shumë republika. Aktualisht, pas pavarësimit të Kosovës, pas miratimit të Planit të Ahtisaarit, shqiptarët janë ndarë në disa shtete të pavarura: në Shqipëri, në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës. Me këtë rast, me keqardhje mund të themi se në Greqi, pas një politike shkombëtarizuese antishqiptare është ngulfatur kauza shqiptare.
Fragmentarizimi i shqiptarëve, detyrimi që ata të jetojnë jashtë shtetit amë krijon një varg problemesh dhe statusesh të shqiptarëve brenda këtyre shteteve. Në Shqipëri bie fjala ata kanë liri dhe të drejta të palimituara nga aspekti kombëtar, në Kosovë shqiptarët kanë liri, por jo edhe mëvetësi në qeverisje, ngaqë sovraniteti do ta ndajnë një kohë të gjatë me faktorët mbikëqyrës, në Maqedoni edhe një kohë të gjatë do të zhvillohet procesi konfliktual i përcaktimit të statusit të shqiptarëve, ndërkaq në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi shqiptarët definitivisht do ta kenë statusin e pakicës kombëtare.
Këtë situatë vetë shqiptarët nuk mund ta ndryshojnë, prandaj paraqitet nevoja që të gjejnë rrugë të tjera për t’i tejkaluar pengesat që objektivisht e ngulfatin zhvillimin ekonomik, kulturor, arsimor dhe sigurinë e tyre. Nëse merret parasysh roli vazhdimisht kompensues i nacionalizmit, pas humbjes së besimit në të “vërtetat” fetare, në hierarkinë shoqërore, të dhënë nga Zoti dhe në barasvlerësimin e kohës kozmike me atë historike, ashtu si pohon Andersoni, atëherë duhet shfrytëzuar forcën ngjeshëse, kohezive të nacionalizmit për ta ngritur mirëqenien e qytetarëve, pjesëtarëve të një kombi, prodhimin e vlerave kulturore dhe mbi të gjitha instalimin e standardeve kombëtare, gjithnjë në vijë të tejkalimit të pasojave rrënuese, zvetënuese të pasojave nga fragmentarizimi i indit kombëtar.
Kombet e formuara, ato që kanë krijuar shtetet e tyre kombëtare kanë arritur që të instalojnë si ide prijatare, intencën kombëtare apo eskatonin kombëtar që i fokuson të gjitha kapacitetet, burimet njerëzore dhe natyrore, në një drejtim, në atë të zhvillimit, të mbrothësisë kombëtare. Kjo intencë është përcaktim i çdo populli të qytetëruar, madje për arritje të interesave kombëtare janë zhvilluar dhe luftëra për zgjerim të territorit, gjithnjë në vijë të interesit ekonomik, të mirëqenies, së sigurisë së përbashkët kombëtare.
Nocioni i interesit gjeostrategjik është eufemizëm që përdoret për ta zëvendësuar nocionin e profanizuar të nacionalizmit. Nëse nuk do të gjendet një rrugë e lejueshme, qytetëruese që do t’i bashkonte të gjitha kapacitetet e shqiptarëve në kuadër të një intence, eskatoni të përbashkët kombëtar, atëherë këto kapacitete do të shfrytëzoheshin nga të tjerët. Popujt e qytetëruar siç janë francezët apo britanikët në vijë të afirmimit të interesave kombëtare, madje kanë formuar organizma mbinacionale vullnetare siç është projekti i Frankofonisë apo Commonwealthit.
Projekti i parë krijon relacione kohezive me popuj të ndryshëm mbi bazë të zgjerimit të përdorimit të gjuhës frënge, ndërkaq ky i dyti mbi baza të mirëqenies së përbashkët. Edhe shqiptarët të fragmentarizuar në disa shtete duhet ta përkufizojnë intencën, eskatonin kombëtar në vijë të shfrytëzimit racional të të gjitha kapaciteteve dhe burimeve. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të kemi zhvillime shoqërore që do të shkërmoqin identitetin unik kombëtar dhe ndasi mbi interesa të kota. Duke marrë si shembull Commonwealth–in britanik, imponohet një ide e ngjashme, ajo, bie fjala e Mbrothësisë së Përbashkët Kombëtare.
Qëllimi parësor i këtij projekti duhet të jetë shndërrimi i handikapit në përparësi, përkatësisht i fragmentarizmit molisës në begati, ose në vend që të shfrytëzohen kapacitetet e shqiptarëve nga të tjerë, të gjenden modalitete qytetëruese të organizimit shoqëror, gjithnjë në vijë të intencës kombëtare, që do të jenë në interes, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të popujve me të cilët ata bashkëjetojnë. Popujt më të qytetëruar të botës tashmë kanë përkufizuar dhe instaluar standardet kombëtare në çdo fushë, duke filluar prej çështjes së abortit e deri tek ajo e ushqimeve gjenetikisht të modifikuara, prej çështjes së demokracisë e deri te manifestimet sportive.
Shoqëritë shqiptare janë të pastandardizuara, sidomos nga aspekti i vlerave kombëtare. Kjo mungesë ndikon që standardet dhe vlerat e popujve të tjerë të depërtojnë lehtas, madje edhe të bëhen barrierë për pranimin e standardeve moderne perëndimore. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në marrëveshje me faktorët relevantë botërorë, mbyllet një proces i dhembshëm historik dhe hapet një dilemë e nivelit tjetër: çka dhe si më tutje? Nga kjo periudhë shqiptarët dolën me imazh të rrënuar, me ekonomi jo kompatibile me sistemet moderne shoqërore, me dilema qytetëruese, me identitet ende të pastabilizuar kombëtar, me dallime të rrezikshme kulturore, në varësi nga sistemet shoqërore ku janë formuar botëkuptimet e tyre, me sistemin e vjetruar arsimor, me koncepte dhe standarde labiale demokratike, me thellim të korrupsionit, nepotizmit, krimit të organizuar që nënkupton suspendimin e parimeve të shtetit ligjor, me shkapërderdhjen e bashkëkombësve në shumë shtete të botës si pasojë e krizës ekonomike, etj.
Pa krijuar standarde unike kombëtare, pa bashkërenditje të kapaciteteve, të sinergjisë kombëtare nuk mund të tejkalohen vetvetiu këto probleme. Pa standardizim nuk mund të mbrohet asnjë vlerë, veçmas ato që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar. Në vazhdim parashtrohet një skicë e mundshme për krijimin e një institucioni, organizate e Mbrothësisë së Përbashkët, punuar sipas projekteve të ngjashme në botë, veçmas Commonwealthit britanik.
Mbrothësia e Përbashkët
I Përkufizimi
Mbrothësia e Përbashkët është organizatë jopolitike vullnetare. Në këtë projekt do të përfshihen shtetet, përkatësisht bashkësitë shqiptare që jetojnë në shtete të ndryshme të botës.
II Qëllimet e themelimit
“Mbrothësia e Përbashkët” është organizatë ndërkombëtare në të cilën do të marrin pjesë bashkësitë shqiptare, mundësisht edhe shtetet ku ata jetojnë pa marrë parasysh nivelin e zhvillimit shoqëror, politik dhe ekonomik. Baza mbi të cilën do të ndërlidhen interesat e përbashkëta ka të bëjë me afirmimin e demokracisë, të drejtave të njeriut, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit, të drejtat individuale, barazinë, tregtinë e lirë, multilateralizmin dhe paqen në botë.
III Udhëheqja
Udhëheqja e Mbrothësisë duhet të jetë e emëruar(dominuar) me marrëveshje konsensuale ndërmjet anëtarëve të organizatës. Nominimi, pavarësia nga elektorati krijon kushte për marrje të vendimeve të guximshme dhe eliminon vetinë, shpeshherë bllokuese të vardisjes së politikanëve ndaj elektoratit dhe opinionit në përgjithësi. Mbrothësia udhëhiqet nga sekretariati i përgjithshëm që ka ingerenca edhe ekzekutive. Sipas shembullit të Commonwealthit, ku udhëheqja simbolike i takon mbretëreshës, si kod bashkues, mund të ofrohet një rol i këtillë edhe oborrit mbretëror shqiptar.
IV Anëtarësimi
Kriteret për anëtarësim në Mbrothësi janë të bazuara në një sërë dokumentesh të veçanta.
V Objektivat dhe aktivitetet
“Mbrothësia…” karakterizohet si organizatë ndërkombëtare që synon t’i zgjidhë problemet me të cilat tash e tutje do të ballafaqohen bashkësitë shqiptare të shkapërderdhura në shumë shtete.
Objektivat kryesorë janë: Çështjet e identitetit; Unifikimi i standardeve kombëtare: demokracia, ekonomia, arsimi, barazia gjinore,
Shekularizmi, të drejtat njerëzore, gjyqësori, sporti, ndërveprimi, rinia.
VI Struktura udhëheqëse
Sekretariati i “Mbrothësisë” vendoset në Tiranë, ndërkaq degët në kryeqendrat ku jetojnë shqiptarët. Sekretariati organizon konferenca, takime të ministrave, takime konsultative teknike, e ndihmon zhvillimin e politikave dhe jep këshilla politike, profesionale, harton projekte për tejkalim të vështirësive në përputhje me objektivat e paracaktuara. Sekretariati udhëhiqet nga sekretari i përgjithshëm i “Mbrothësisë”. Ai mund të ketë vetëm dy mandate me nga 4 v. Sekretari i Përgjithshëm dhe dy zëvendësit e tij i udhëheqin seksionet e sekretariatit. Subjektet anëtare të “Mbrothësisë” krijojnë edhe shumë lidhje sekondare në lëmin e sportit, të arsimit, të bamirësisë etj. Asociacioni i universiteteve të “Mbrothësisë” shërben si mjet për lidhjet (komunikim) akademik(e). Po ashtu, ekzistojnë edhe shoqata të tjera jozyrtare, të cilat ndihmojnë individë që punojnë në fushën e gjyqësorit dhe në institucionet e tjera qeveritare, siç janë, shoqata e juristëve dhe shoqata e parlamentaristëve të “Mbrothësisë”. Në të parë ideja duket sa e guximshme po aq edhe e parealizueshme, por rrugëdalje tjetër nuk ka nëse dëshirojmë t’i vëmë në kontroll proceset që i degjenerojnë kapacitetet tona kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi. Nëse ky propozim të paktën do të nxisë përsiatjen për nevojën e gjetjes së një shtegu të ri që do të na shpijë në nivel më të lartë të organizmit shoqëror, atëherë guximi do të jetë i arsyeshëm.