Arifi për News 24: Marrëveshja BESA-ASH? Aleanca ime është me qytetarin e Tetovës

300

Kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, e cila garon për një mandat të dytë në këto zgjedhje ka adresuar çështjen e marrëveshjes politike mes partisë Besa dhe Aleanca Shqiptare e Zijadin Seles. Arifi thekson se pa dashur t’i hyje teorive të kombinimeve politike, aleanca e saj është me qytetarin e Tetovës. Në një intervistë për emisionin Diplomaticus që drejtohet nga gazetari Erion Kaçorri në televizionin News 24, Arifi thekson se parimi i saj do të jetë vetëm aleanca me banorët e Tetovës.

“Kombinimet politike janë kombinime politike. Ajo që për mua ka qenë gjithmonë e rëndësishme ka qenë aleanca ime me qytetarin e Tetovës. Aleanca ime me çdo njeri të qytetit tim që ka pasur probleme të ndryshme për të cilin administrata ime dhe une kemi dhënë maksimumin. Ne do të vazhdojmë ta forcojmë kete aleance. Pra une do t’i përmbahem këtij parimi të aleancës me qytetarin” deklaron Arifi.

E pyetur në lidhje me një aleancë të mundshme me partitë e tjera shqiptare siç është PDSH e Menduh Thaçit, Arifi thekson se partia që ajo përfaqëson BDI ka konceptet për të bërë edhe aleanca politike.

“Edhe përpara këtyre zgjedhjeve kemi pasur një marrëveshje politike dhe ajo marrëveshje politike ka qënë me Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë ku në pesë komuna ata nuk kanë pasur kandidatët e tyre dhe në pesë komuna të tjera ku shqiptaret nuk janë shumicë ne nuk kemi pasur kandidatët tanë me qëllim që të shmangim shpërndarjen e votës dhe për të treguar se aleancat mund të japin edhe rezultatet e tyre. Normalisht që aleancat mbeten të hapura, por mbi të gjitha më e fuqishmja dhe më e rëndësishmja është aleanca me qytetarin” thekson Arifi gjatë intervistes për gazetarin Erion Kaçorri.

Nje shqetësim madhor për qytetarin e Tetovës veçanërisht gjatë sezonit të verës ka qenë mungesa e ujit të pijshëm për të cilin Arifi deklaron se tashmë ky problem ka marrë zgjidhje.

“Për tu zgjidhur problemi i ujësjellësit të Tetovës duheshin katër vjet e dy muaj nga të cilat, një vit u përgatit dokumentacioni dhe u dha leja për ndërtim, për dy vjet u ndërtuan tubacionet e ujësjellësit në lartësi 1 200 metra, për dy vjet u ndërtua stacioni për filtrimin e ujit dhe e gjitha kjo kushtoi 4 milion e 200 mijë euro, gjysma nga buxheti shtetëror, pjesa tjetër nga Banka Europiane për Investime dhe një sjellje korrekte nga autoritetet të cilët këto mjete financiare deri në monedhën e fundit i përdorën për të zgjidhur këtë problem të madh për qytetarët e Tetovës dhe për këtë jam jashtëzakonisht krenare edhe pse në ditët e sotme të flasësh për ujin e pijshëm duket si një çështje e tejkaluar, por të mos e kesh të zgjidhur dhe të gjesh një zgjidhje mendoj se është arritje” deklaron kryetarja e komunës së Tetovës.

Zonja Teuta Arifi thekson se do të vazhdohet me projekte të tilla edhe në katër vjeçarin e ardhshëm për sa i përket trajtimit të ujërave të zeza dhe problemeve të tjera të infrastruktures. E pyetur në lidhje me akuzat e ngritura për një administratë të ngarkuar me militantë politike, Arifi përgjigjet se kur ajo nisi punën si kryetare e komunës së Tetoves gjeti një administratë të tejmbushur me të punësuar, pa dashur që t’i etiketojë ata si militantë politike. “Cështja e papunësisë nuk zgjidhet vetëm përmes punësimit në administratë, por zgjidhet me projekte të tjera të zhvillimit ekonomik”, deklaron zonja Teuta Arifi për News 24.

Comments