Arrestohen pesë të dyshuar për sulm ndaj Konsullatës turke në Prizren
Policia e Kosovës, përmes një kumtese njofton se sot, me 28 nëntor 2016, rreth orës 04:20, është informuar se disa persona të dyshuar kanë hedhur mjete të dyshuara (koktej molotovi) në objektin e Konsullatës turke në Prizren dhe kanë ikur në drejtim të panjohur.
Nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar gjatë këtij sulmi, përderisa ka pasur disa dëme të vogla materiale.
Pas këtij njoftimi, PK, transmeton Koha.net, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar në këtë rast.
Njësitet e forenzikës kriminalistike të Policisë së Kosovës kanë bërë ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes duke u bazuar në dëshmi dhe video incizime relevante për procedim sa më profesional të rastit, zbulimin e tij dhe identifikimin e kryesve të përfshirë.
Në vendin e ngjarjes si dëshmi janë sekuestruar:
Një shishe qelqi e tymosur e pa thyer, ngjyrë kafeje.
Copëza qelqi të thyera në vend të ngjarjes.
Një pjesë e kupëzës së betonit dhe dëshmi tjera relevante lidhur me rastin.
Pas kësaj, Policia e Kosovës, pas një hetimi të shpejtë dhe duke u bazuar edhe në analizimin e kamerave të sigurisë në teren kanë arrit që ta identifikojnë automjetin e dyshuar të involvuar në rast (tipi dhe targat e automjetit të njohura për Policinë), dhe të njëjtin e kanë ndaluar në rrugën ” Edit Durham” në Prizren.
Gjatë kontrollit në automjet janë identifikuar tre (3) personat e dyshuar të përfshirë në këtë rast.
Policia ka konfiskuar për ekzaminim edhe automjetin e dyshuar si dhe në funksion të mbledhjes së informacioneve dhe dëshmive tjera janë realizuar bastisje në katër lokacione të ndryshme, me ç’rast 0për në polici janë shoqëruar edhe dy (2) persona tjerë të dyshuar.
Gjithsejtë pesë (5) persona të dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit kompetentë të njëjtëve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.