Arsimi i mesëm me korrespodencë, “sa për sy e faqe”

415
fresco

Diplomat që merren pas kryerjes së arsimit të mesëm me korrespodencë në Maqedoni duket se janë vetëm formale dhe nuk kanë vlerën e diplomave të arsimit të rregullt. Kështu vlerësojnë shumë profesorë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces por që nuk deshën të prononcohen para kamerës së Alsat. Ata zbulojnë se janë të rralla rastet kur nxënësit përgatiten për provim të caktuar, madje duke shtuar se në arsimin e çrregullt përfundojnë zakonisht nxënësit me sukses të dobët gjatë vitit shkollor. Profesori Xheladin Murati thotë se Ministria e Arsimit duhet të mendoj seriozisht në këtë drejtim dhe mos të lejojë keqpërdorimin e diplomave të mara pa dituri dhe mësim.

Vetëm paraqesin provimet dhe ato provime paraqesin formalitet që e zbut ose e zbeh cilësinë e tyre në vlerën e diplomës që merr. Cilësia mungon, dituritë mungojnë, formalisht diplomat vlejnë por këtu duhet intervenim i fuqishëm i institucioneve arsimore që mos të lejohet të devalvohet edhe ai arsimim i rregullt i cili po ashtu nuk ka cilësinë e nevojshme, cilësinë e duhur por duhet të organizohet në mënyrë që këto mos të marrin vetëm formalisht diploma pa dituri, edhe pse në praktikë mund të flasim në shumë aspekte për diploma pa cilësi, pa dituri -deklalroi Xheladin Murati, profesor.

Nga Ministria e Arsimit edhe pse premtuan nuk u prononcuan për këtë temë duke u arsyetuar se po analizojnë efektet e deritanishme të arsimit me korrespodencë. Ndërkohë, interesim më të lartë për arsimin e mesëm të çrregullt ka në drejtimet profesionale, posaçërisht ato të mjekësisë. Në shkollën e mjekësisë “Pançe Karagjozov” vitet e fundit interesimi është rritur për infermiere për shkak të ofertave për punë në spitalet e vendeve perëndimore.

Të gjithë këto nxënës që vijnë janë nxënës që kanë mbaruar shkolla të mesme. Këtu te ne vijnë për rikualifikim pasi që të gjithë kanë shpresa, tregu i punës në perëndim kërkon infermiere dhe jo-rastësisht pjesa më e madhe e tyre orientohet në këtë drejtim. Kryekëput më shumë janë për infermiere, mund të them 99% janë ata që vijnë për infermiere edhe këtu për momentin është interesimi më i madh – tha Sherif Selimi, Sh.M.Q “Pançe Karagjozov”.

Regjistrimi për një vit në arsimin me korrespodencë në shkollën e lartpërmendur kap shumën prej 100 eurosh ndërsa për çdo provim duhet të paguhet nga 20 euro. Çmime më të ulëta për shkollim të çrregullt ofrojnë gjimnazet dhe drejtimet tjera profesionale.

Melihate Rustemi

Comments