Australia mirëpret Ermonela Jahon

474

Australia mirëpret Ermonela Jahon

Duket e çuditëshme të bërtasësh nga gëzimi, pasi për 3 orë ke parë se si një grua shkon drejt vdekjes së dhimbshme, por ky kontrast reflekton në mënyrën më perfekte portretizimin e gjallë dhe pasionant që Ermonela Jaho i bën Violetës në operan e Verdit, “La Traviata”.

Me këto fjalë e nis revista kritike australiane “Limelight”, materialin kushtuar sopranos së talentuar shqiptare, e cila përgjatë muajit shkurt po sjell në skenën e Sidenit, heroinën tragjike.

“Më në fund edhe australianët do të mund të shohin nga afër se çfarë është në gjendje të bëjë artistja shqiptare”-shkruan Clive Paget, kryeredaktori i  revistës dedikuar muzikës klasike dhe arteve.

Sipas tij, pika e fortë e interpretimit është aftësia e Jahos për të jetuar dhe vdekur në një moment. Çdo kush që ka studiuar për muzikë, e di se aftësia për të jetuar plotësisht një dramë, duke iu përshtatur me finesë kërkesave muzikore të Verdit, arrihet falë një pune kolosale dhe Jaho ka arritur ta bëjë.

Për revistën australiane, zëri i sopranos është perfekt për të përcjellë hijeshinë e kurtizanes Violeta, me një regjistër të ulët e të mesëm që le pa frymë jo vetëm Alfredon.

“Kalimi në notat e larta, të bën të gulcosh nga kënaqësia”, vijon më tej kritiku australian për shqiptaren. Skena më e forte e bindëse, sipas tij, është ajo e fundit, kur Violeta vdes.

Revista premton se me një divë si Ermonela Jaho, audienca mund të  presë një shfaqje të standarteve të larta, që do të thyejë zemra./TCH

Comments