Avioni i rrëzuar, Basha: Provë që karteli i drogës ekziston
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se rënia e avionit në Ishëm është provë e funksionit të kartelit të drogës. Në një status në profilin e tij në “Facebook”, Basha shkruan se Shqipëria është e zhytur në drogë në të gjitha format.
“Avioni i rënë sot në Ishëm është prova e re që tregon se Karteli i Drogës punon çdo ditë, pa ndërprerje, në të gjitha rrugët. Mohimi nga Rama i denoncimit që bëri në parlament opozita, është përpjekje për të fshehur ngjarjen, për të fshehur të vërtetën e trafikut ajror të drogës. Të gjitha të dhënat janë se avioni është porositur pikërisht nga Karteli i Drogës në zonën e Krujës, për të marrë drogën e Bushit të Ramës, që ka mbuluar gjithë zonën deri 2 kilometra larg Aeroportit të Rinasit ku siç kemi denoncuar me foto dhe fakte janë mbjellë mbi 50 mijë rrënjë”.
Sipas Bashës, “Shqipëria është e zhytur në drogë dhe narkotrafik në të gjitha format. Ka ardhur koha që shqiptarët ta çlirojnë vendin nga sundimi i Kartelit të Drogës që shkatërron ekonominë, sjell krime, dhe vret votën e lirë”.
Basha: Rama, asnjë fjalë për blerjen e votës në Dibër
Përmes një statusi tjetër në faqen e vet zyrtare në ‘Facebook’, Basha ka akuzuar kreun e qeverisë, Edi Rama se nuk tha asnjë fjalë për blerjen e votës në Dibër duke respektuar kodin e heshtjes me kartelin e drogës, fundin e të cilit sipas kryedemokratit, do të ketë edhe vetë kryeministri.
“Edi Rama e respektoi sot kodin e heshtjes me Kartelin e Drogës, duke mos thënë asnjë fjalë për blerjen e votës edhe pse i madh e i vogël kanë parë me zë e me figurë se si mbinë në gjithë Dibrën kioskat ku një vote për kandidatin e tij blihej me lekë e me euro.
Karteli i tij i drogës bleu mijëra vota në vendin anëtar të NATO-s, kandidat për anëtarësim në BE, por Rama nuk tha asnjë fjalë të vetme. Duke ruajtur kodin e heshtjes, ai nënshkroi sot nga podiumi i Parlamentit një kontratë të re me krimin, pasi punë të tjera i presin, zgjedhjet po vijnë.
Sado te forcohet karteli i drogës, sado të blejnë votat, të ndërtojnë pista avionësh, ate e pret një fund fatal, sepse nuk e mundin dot një shoqëri të tërë, nuk e inkriminojnë dot një komb.
Edi Rama ka zgjedhur të ketë fundin e kartelit të drogës, dhe atë fund do të ketë kur populli ta vërë para.
Ajo ditë po vjen me shpejtësi, dhe atij nuk do t’i bëjnë më punë as opingat e krimit e as avionët e drogës. #Shqiperia me mire pa Edi Ramen”, shkruan Basha.
15 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)