Avokatët: Gjykata do të shkatërrojë incizimet nga rrahja e Sevdail Miftarit
Avokatët mbrojtës të pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, alarmojnë se gjykata mund të fshijë incizimet që tregojnë policët duke rrahur Sevdail Miftarin nga Kumanova, për të cilin avokati Naser Raufi ka thënë se i janë thyer dy këmbët.
“Rrahja e Sevdail Miftarit ka ndodhur në podrumin e gjykatës ku ka kamera të sigurisë, prandaj jam i sigurt që ekzistojnë videoincizime nga ky rast. Ne i kemi kërkuar incizimet, mirëpo kemi frikë se gjykata do t’i shkatërrojë ato, që të mos kemi dëshmi. Kërkojmë nga Ministri i drejtësisë Valdet Xhaferi që urgjentisht të shfrytëzojë kompetencat që i ka dhe të pengojë zhdukjen e dëshmive. Përndryshe edhe atë do ta konsiderojmë si pjesëmarrës në fshehjen e dëshmive”, ka deklaruar njëri prej avokatëve, për Gazetën Lajm.
Edhe pse në gjendje të rëndë, policia e ka sjellë sot Sevdail Mifatrin nga burgu i Shutkës në Gjykatë, për të qenë prezent në seancën gjyqësore. Avokatët kanë kërkuar që ai të kontrollohet nga mjek specialist, për të konstatuar se çfarë lëndime ka marrë nga maltretimi policor, mirëpo gjykatësja ka lejuar vetëm një ekip të ndihmës së shpejtë. Avokatët shprehen të sigurt se ndihma e shpejtë nuk mund të konstatojë natyrën e saktë të lëndimeve që i janë shkaktuar Miftarit.