Avokati i popullit kërkon më shumë para (VIDEO)
Avokati i popullit nga deputetët kërkoi më shumë para nga buxheti për funksionim të pavarur. Fondet e pamjaftueshme e vështirësojnë punën e këtij institucioni. Avokati i popullit kërkoi nga Kuvendi që punonjësit në institucionin e tij të mos jenë të barabartë me nëpunësit shtetëror, pasi, siç thotë, me status të këtillë nuk mundet të përparohet.
“Si të jetë avokati i popullit profesionist, cilësor, i paanshëm pa para dhe njerëz? Mund të flasim tërë ditën, sërish do të vijmë tek ajo sesi më mirë të zbatohet ligji, ashtu siç është shkruar”, deklaroi Avokati i popullit, Ixhet Memeti.
Opozita për propozim ligjin për avokatin e popullit, tha se bëhet vetëm makijazh i tekstit që tashmë ekziston.
“Nëse zhvillohen debate publike, duhet të ketë ndonjë efekt nga kjo, e jo vetëm të vijmë, të flasim dhe më në fund amendamentet tona të mos pranohen. Sugjerimet nga debati publik janë të zbrazura dhe nuk shndërrohen në tekste ligjore”, tha Renata Deskoska, LSDM.
Nga VMRO-DPMNE bëjnë të ditur se ndryshimet e ligjit për avokatin e popullit janë bërë në bashkëpunim me avokatin e popullit.
“Kur pajtohen disa palë, nuk mund të pajtohen për çdo gjë. Kryesisht mendimet lidhur me propozim ligjin edhe të ministrisë edhe të avokatit të popullit janë të harmonizuara”, tha Ane Lashkoska, VMRO-DPMNE.
Avokati i Popullit në shumicën e raporteve të tij nënvizon se institucionet nga të cilat duhet të marrë përgjigje, nuk bashkëpunojnë ose injorojnë kërkesat e tij./alsat-m