Azilantja shqiptare: 4 punonjës të kampit gjerman më përdhunuan



Një azilante shqiptare në kampin e refugjatëve në Burbah të Gjermanisë deklaron se është rrëmbyer dhe përdhunuar nga katër punonjës të kampit për dy ditë rresht.
Lajmi bëhet i ditur nga gazeta gjermane WRD, ku gruaja tregon se punonjësit pasi e kanë dehur e kanë marrë në një shtëpi.
Fillimisht një punonjës i sigurisë në kamp, e kishte ftuar për në pije bashkë me kolegët e tjerë. “Pas gotës së tretë rashë pa ndjenja dhe kur u zgjova isha në një shtëpi tjetër me katër persona. Kam frikë se më kanë përdhunuar”, thotë ajo.
Denoncimin e saj e përforcon më shumë një shqiptar tjetër, Armando Milloshi, që thotë se ka parë momentet kur gruaja ishte e dehur me vodka me rojet e sigurisë. Më pas, sipas tij, ajo humbi ndjenjat dhe u nxor jashtë kampit.
Sakaq, prokurorët e çështjes thonë se rasti është shumë i vështirë për t’u hetuar, pasi gruaja thotë se ka ndodhur muaj më parë dhe nuk mund të përcaktohet nëse është përdhunuar ose jo. Nga ana tjetër, forcat e sigurisë në kamp kanë mohuar akuzat e gruas, duke thënë se ato janë të pavërteta.