Baily: Është zgjedhja sovrane e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n

262

Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily vlerëson se Marrëveshja e Prespës është një mundësi historike për Maqedoninë dhe për rajonin. Në një intervistë për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës, ambasadori Baily u bëri thirrje udhëheqësve të vendit të marrin vendimet e vështira strategjike që kërkon realizimi i marrëveshjes, transmeton Koha.mk

“Shtetet e Bashkuara kanë qenë mik dhe partner i Maqedonisë që nga pavarësia e saj mbi 25 vjet më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, qytetarët dhe qeveria e Maqedonisë kanë mbështetur fuqimisht integrimin në institucionet euroatlantike. Është zgjedhja sovrane e Maqedonisë për t’u bashkuar me NATO-n. Ne jemi krenarë që e mbështesim këtë zgjedhje dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë sepse Maqedonia ndryshon rrjedhën e së ardhmes së saj. Ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë. Marrëveshja do të lejojë që Maqedonia të zë vendin që meriton në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë në stabilitetin, sigurinë dhe begatinë rajonale”, ka thënë midis tjerash në intervistë ambasadori Baily.

Ambasadori amerikan poashtu në intervistë thekson se gjatë gjithë procesit të negociatave dhe zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, udhëheqësit në të gjithë spektrin kanë qenë të gatshëm të lënë mënjanë interesat afatshkurtra partiake për të mbështetur të ardhmen e Maqedonisë në NATO dhe BE.

“Udhëheqësit në Greqi dhe Maqedoni kanë thënë se kjo marrëveshje është thellësisht në interesin e tyre kombëtar; ajo do të çojë në siguri dhe begati për të dy vendet dhe për rajonin. Arritja e kësaj zgjidhjeje zgjati 25 vjet dhe unë nuk shoh ndonjë alternativë praktike në horizont. Kam besim se do të vazhdojmë të shohim udhëheqës të guximshëm që punojnë për të siguruar se Maqedonia dhe Greqia nuk do ta humbasin rastin që më në fund ta zgjidhin këtë çështje”, thekson ambasadori Baily në intervistë. (Koha.mk)

Comments