Balanci i njësive zgjedhore, KShZ: Është detyrë e legjislativit



Kufijtë e njësive zgjedhore dhe numri i votuesve në to është i përcaktuar me ligj, ndërsa KShZ është organ që vetëm zbaton normat kushtetuese dhe ligjet që janë në fuqi, janë të prerë në KShZ…Lidhur me balancimin e numrit të votuesve nëpër njësi zgjedhore, ata thonë se institucionet gjegjëse, Ministria e Drejtësisë, Kuvendi, përfshi edhe partitë politike, me kohë janë njoftuar për këtë problematikë dhe nuk është në kompetencën e tyre për të ndryshuar dhe plotësuar ligjet që rregullojnë këtë çështje.
“Kufijtë e zonave, njësive zgjedhore, janë të parapara me Kodin Zgjedhor, kështu që KShZ, pavarësisht gjendjes e cila është nëpër njësitë zgjedhore, duke pasur parasysh numrin e votuesve dhe tejkalimin e pragut prej +-5%, do të duhet t’i zbatojë zgjedhjet me ligjin i cili është në fuqi. KShZ është zbatues i ligjit, por jo edhe propozues për ndryshim dhe plotësim të ligjit”,– deklaroi Admir Shabani nga KShZ.
Aktualisht, njësia e gjashtë zgjedhore ka 5.28 për qind më shumë votues se mesatarja e gjashtë njësive, ndërsa njësia e tretë dhe e katër kanë mbi katër për qind më pak. Me këtë, dallimi mes njësisë së tretë dhe asaj të katërt me njësinë e gjashtë arrin në gati 30 mijë votues.
Ndërkohë, KShZ në mbledhjen e fundit ka miratuar kalendarin që ka të bëjë me respektimin e afateve ligjore rreth organizimit të zgjedhjeve, ndërkaq ka miratuar edhe thirrjen publike për votimin e diasporës. Gjatë inspektimit publik të Regjistrit Zgjedhor do të kenë mundësi që sërish të paraqiten edhe ata 30 mijë votues të cilët nga kryqëzimi i të dhënave dolën si të kontestueshëm.