Balancimi i njësive zgjedhore, Musliu: Unitet dhe këmbëngulje mes partive shqiptare

219

Analisti politik Alber Musliu thotë se subjektet politike maqedonase kurrë s’kanë patur vullnet politik për balancimin e votës shqiptare dhe asaj maqedonase, por sipas tij tani është momenti më i volitshëm politik për të arritur këtë qëllim. Sipas Musliut kjo mund të arrihet me qëndrim të unifikuar dhe këmbëngulje më të madhe të partive shqiptare.
“Është një moment që kisha dëshirë që, subjektet politike shqiptare të jenë më të qëndrueshme, t’i unifikojnë edhe propozimet me qëllim që në tavolinë t’i prezentojnë më fortë, dhe besoj se, me atë qasje ka mundësi që ai disbalans, i cili paraqitet mes deputetëve dhe peshës së votës, shqiptare apo maqedonase, varësisht prej njësisë zgjedhore, të minimizohet”, tha Albert Musliu, analist.
Që të amortizohet plotësisht ky dispbalans duhet veprim më i madh politik, thotë Musliu, duke shtuar se ky process duhet nisur me uljen e pragut që aktualisht është +5%, -5%.
“Gjithsesi se duhet të ulet pragu sepse ka gjashtë njësi zgjedhore, prag i cili nënkupton +5%, -5%, mund të shkojë deri në 10%. Ne e shohim se, edhe sipas këtyre statistikave që janë, pragu, dallimi, tentohet të mbahet afër10%. 10-shja në 6 njësi zgjedhore është numër i madh deputetësh, dhe t’i jepet pesha e votës më shumë një pjese të popullatës dhe një pjese të popullatës t’i zvogëlohet”, shpre Musliu.
Kjo qasje u dëshmua edhe me veprimin e fundit të VMRO DPMNE-së, thotë Musliu. Sipas tij bojktoti i punës së grupit punues për balancimin e njësive zgjedhore nga ana e VMRO DPMNE-së, gjatë takimit të parë, ishte në kundërshtim me deklarimin e tyre paraprak se do të pranojnë cdo zgjidhje të dakorduar mes tre partive të tjera.
“Me veprimin e fundit tregojnë se atë shpirtgjërësi politike që e paraqesin, nuk është ashtu, por janë të gatshëm që të hyjnë prap në ato cikërimat për të mbajtë interesat e tyre. Mos harrojmë numrin më të madh të deputetëve ato e kanë pas në njësinë tre dhe katër, në ato njësi ku kanë afërsisht 10% dallim me numrin e votuesve me njësinë zgjedhore numër gjashtë”, u shtoi Musliu.
Ndryshe, grupi punues për harmonizimin e njësive zgjedhore, as në takimin e së premtes, nuk arriti zgjidhje për këtë cështje. Të gjitha palët mbetën në qëndrimet e tyre.
Cështja do të diskutohet në koordinimin e ditës së hënë te kryeparlamentari. Nuk përjashtohet mundësia që zgjidhja të kërkohet jashtë kuvendit. Ajo që dihet është se zgjidhja duhet të arrihet para shpërbërjes së Kuvendit. Në të kundërtën do të shkelej Kodi zgjedhore dhe zgjedhjet do të ishin të jashtligjshme.
Nga: Shpëtim Nuredini
Comments