“Ballistët” e “Shvercerat” bashkë në stadium, festojnë festat e Nëntorit

230

KF Shkëndija: Do të kemi mundësinë të shohim në tribuna dy tifozeritë shqiptare, “Ballistat” dhe “Shvercerat”, që premtojnë spektakël të jashtëzakonshëm

Një ditë para festës së madhe të 28 nëntorit, dy klubet shqiptare të futbollit në Maqedoninë e Veriut, KF Shkëndija dhe FC Shkupi, do të përballen në Tetovë, përcjell TV21. Nga KF Shkëndija njoftojnë se kanë pranuar kërkesën e FC Shkupit, për prani të tifozëve Shvercerat në ndeshje.

Njoftimi i plotë i KF Shkëndija:

Kryesia e KF Shkëndija njofton se është pranuar kërkesa e KF Shkupi për praninë e tifozëve të tyre në ndeshjen e xhiros së 16-të të Ligës së Parë, që luhet të mërkurën më 27 nëntor, në ora 13:00, në Stadiumin e Qytetit në Tetovë. Pas një kohe të gjatë, në një duel të rëndësishëm futbollistik do të kemi mundësinë të shohim në tribuna dy tifozeritë shqiptare, “Ballistat” dhe “Shvercerat”, që premtojnë spektakël të jashtëzakonshëm.

KF Shkëndija bën thirrje për një atmosferë festive dhe të dinjitetshme, duke shmangur çdo provokim të panevojshëm në baze etnike, racore dhe religjioze. Futbolli është një festë që na bashkon, dhe kjo ndeshje është mundësia e përkryer për të treguar respektin dhe unitetin tonë si vëllezër. Ftojmë të gjithë të pranishmit të kontribuojnë për mbarëvajtjen e ngjarjes dhe ta shndërrojnë këtë duel në një shembull për futbollin në vend.

Fusha do të vendosë se kush e meriton fitoren, por në tribuna le të shkëlqejë vetëm dashuria për futbollin dhe kombësinë tonë të përbashkët.

Mirë se vini, vëllezër nga Shkupi!

Comments