Banorët e Çerkezit e vazhdojnë betejën me EVN, sot vazhdon protesta

Banorët e Çerkezit të Kumanovës kanë vendosur ta çojnë deri në fund betejën me EVN-në. Në shenjë revolte dhe kundërshtim të vendosjes së orë-matësve të rinj ata sot pasdite kanë bllokuar rrugën e vjetër Kumanovë – Shkup.
Protesta dhe pakënaqësitë janë rritur akoma më shumë për faktin se kompania në fjalë ka disa ditë që një pjesë të fshatit e ka ç’kyçur nga rrjeti, njofton agjencia e lajmeve ina.
Banorët e fshatit Çerkez të Kumanovës theksojnë se EVN Maqedoni i ka gjunjëzuar dhe mezi po mbijetojnë. Ata së fundi janë të revoltuar nga faturat e larta që mezi po i përballojnë.
Banorët hedhin poshtë akuzat e EVN-së se në fshat ka instalime ilegale të energjisë elektrike. Sipas tyre, hajnat e vërtetë janë vetë EVN.
“Rrjeti elektrik në fshat është vendosur me kontributin tonë, deri sa nuk ndërhyjnë këta. Njëherë ata kanë ndërmarrë hapa për ndryshimin e matjes së rrymës, tash iu ka prij mendja të bëjnë një mënyrë tjetër se ata po na vjedhin rrymën. Jo ne nuk e vjedhim rrymën, por hajdutët e vërtetë janë ata. Nëse ata nuk kanë besim tek ne, pse neve t’i besojmë atyre”, tha një banor tjetër.
Protestat nuk do të ndalen derisa drejtuesit e EVN-së nuk zhvillojnë takim me banorët.
Banorët e Çerkezit për Telegrafi Maqedoni thonë se beteja do të vazhdojë edhe sot!