Banorët e fshatit Drobesh të Vitisë në hall me ujërat e zeza! (Foto)



Më se 30 familje të fshatit Drobesh të Epërm të Vitisë, tash e një kohë po përballen me problemin e ujërave të zeza, nëpër vendbanimin ku ata jetojnë. Banorët ankohen se ujërat e zeza që vijnë nga rrjeti i kanalizimit prej fshatit Smirë dhe që kalojnë nëpër territorin e fshatit të tyre, e shumë pranë oborreve të shtëpive ku ata jetojnë, ka bërë që ata të jenë në hall me këtë problematikë, raporton sot PlusTv.
Kjo gjendje pos që ka shqetësuar këta banorë, ajo po shkakton edhe ndotjen e mjedisit ku siç thonë ata, mund të bëhet shkak edhe për përhapjen e ndonjë epidemie, pasi që në një mënyrë, ato mund të prekin edhe puset e tyre që ata i përdorin për pije.
“Ujërat e zeza kanë depërtuar edhe në bunarët që i përdorim për ujë të pijshëm, i cili tani e qe një kohë vjen i ndotur edhe me një aromë të padurueshme. Ne nuk mundemi të jetojmë kështu në këtë situatë, pasi prej kanalizimit mundet me prek edhe shëndetin tonë dhe fëmijëve tanë”, është shprehur Sabit Rashiti, banor i fshatit Drobesh.
E një tjetër që po pëson nga derdhjen e ujërave të zeza në drejtim vendbanimit të tij, është edhe familja e Mejdi Aliut, i cili gjithashtu shprehet i shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhen.
“Kjo erë që kundërmon prej ujërave të zeza në afërsi të shtëpive tona të zë frymën. Le të vjen kushdo, e po ashtu edhe kryetari, e le ta sheh këtë ndotje. Ne nuk guxojmë as me i hap dritaret e shtëpive tona nga era, e as të përdorim ujin e bunarëve për pije, pasi uji vjen i ndotur dhe as që jemi duke përdor më tani gati qe një muaj,” është shprehur ai, duke shtuar se një fqinji të tyre, një ditë i ngordhi lopa pasi kishe pirë ujin e kanalizimit që kalon pranë oborrit të shtëpisë së tij.
Kurse autoritetet komunale të Vitisë, lidhur me këtë rast, kanë pranuar se problem i kanalizimit qëndron si në këtë fshat ashtu edhe në disa lokalitete të tjera, por kanë thënë se komuna është akoma në proces të trajtimit të ujërave të zeza. Në kuadër të kësaj, komuna në të ardhmen pritet të realizojë projekte konkrete në bashkëfinancim që do të jenë zgjidhje e problemit të kanalizimeve nëpër disa fshatra.
Nga ana tjetër, revolta e banorëve ka bërë që ata të marrin një vendim në formë ultimatumi që nëse brenda 15 ditëve nuk ndërmerret diçka konkrete për sanimin e kësaj gjendje, vet do ta zgjidhin në mënyrën e tyre, duke u shprehur të vendosur që nuk do të lejojnë më që ujërat e zeza të fshatit Smirë, të kalojnë nëpër vendbanimin e tyre. /PlusTv/