Banorët e fshatit Osek Pashë ankohen që nuk po iu asfaltohen rrugët edhe pse participuan me para (Foto)

384
fresco

Tri rrugë të fshatit Osek Pashë të Gjakovës, ka katër vite që nuk janë asfaltuar, ndonëse banorët e këtij fshati kanë participuar me para për ndërtimin e tyre. Ata ankohen se Komuna e Gjakovës ka shtruar rrugë tjera të këtij fshati, të cilat nuk janë pranë vendbanimeve.

Tri kërkesa, thotë t’i ketë dërguar Milan Rrukaj nga Osek Pasha, në Komunën e Gjakovës, vetëm në vitin e fundit, por për asnjërën nuk ka marrë përgjigje. Ai pohon se në emër të banorëve të këtij fshati që ndodhet pak kilometra në dalje të qytetit të Gjakovës, nga Komuna kanë kërkuar shtrimin e tri rrugëve të fshatit që çojnë tek shëtitë e fshatit, të banuara nga familjet e Rrukaj, Gjokaj, Nduaj dhe Llleshaj.

Projekti për ndërtimin e këtyre rrugëve, sipas tij, po lihet pezull nga për gati katër vite, edhe pse ata kanë participuar në shtrimin e tyre.  E neglizhenca e Komunës ndaj tyre po i nxit ata që të reagojnë.

“Që 4 vjet kemi participuar për rrugë, edhe hala nuk na kanë shtru. Janë shtru rrugë tjera ku ka ma pak banorë edhe nuk kanë partecipu hiq në ndërtim, ndërsa rrugët ku kemi ba participim mas pakti janë shtru”, denoncon neglizhencën e Komunës që udhëhiqet nga Kryetarja Mimoza Kusari-Lila, Milan Rrukaj.

“Prej vjetshit i kam ba tri kërkesa por nuk kemi arrite me marrë përgjigje. Ka shtru rrugë 1 kilometer ku nuk ashtë e banueshme, e këta bash ku ka banorë nuk e kanë shtru”, thotë ky banor për Gazetën Express, duke pretenduar tutje se ka kërkuar disa herë edhe ta takoj direkt Kryetaren Kusari-Lila por ka qenë e pamundur.

midle

Nga ana tjetër, në Komunën e Gjakovës janë arsyetuar duke hedhur fajin tek ish-qeverisja komunale, që sipas tyre, në mungesë të buxhetit për ndërtimin e rrugëve kanë aplikuar formën participimit nga ana e banorëve, mjete këto të cilat kanë shërbyer vetëm sa për të nisur procedurat e tenderimit dhe pa planifikim buxhetor.

“E njëjta situatë është edhe me projektin konkret për rrugët e fshatit Osek Pashë, i cili tashmë është futur në Kornizën Afatmesme Buxhetore dhe për realizimin e tij është caktuar edhe buxheti i nevojshëm”, i ka thënë Gazetës Express, Artan Haraqia, zëdhënës në kabinetin e Mimoza Kusari-Lilës.

Tutje sipas tij, “në këtë drejtim, komuna e ka paraparë që ky projekt të përfundojë në dy faza, njëra në vitin 2017 me ç‘rast janë ndarë 40 mijë euro dhe faza e dytë në vitin 2018, me ç‘rast komuna ka ndarë 50 mijë euro”.

Ndryshe, gjendja e rrugëve në fjalë të këtij fshati, çdo ditë po keqësohet. Banoret thonë problemet më të mëdha i kanë sidomos gjatë dimrit, për shkak të baltës e cila u shkakton telashe të mëdha në lëvizje, sidomos për ata që e kalojnë rrugën me këmbë.  /GazetaExpress/.

Comments