Banorët e Vizbegut ankohen për rrugët e mjerueshme

208

Banorët Lagjes Vizbeg , ankohen për mungesën e ujit të pijshëm

Baltë, ujë, infrastrukturë të shkatërruar janë këto pamjet e para që i shohin banorët e lagjes së Vizbegut për çdo ditë, për thuajse 30 vite me radhë. Banorët e kësaj lagjeje ndihen të harruar nga autoritetet kompetente dhe shumë të zhgënjyer nga partia shqiptare në pushtet, Ata thonë se disa vite me radhë kanë marrë premtime se do të ndërmirren masa, megjithatë ata asnjëherë nuk janë shndërruar në vepra.

“Na më mirë kemi qenë kur ka qenë Jugosllavia, kur ka qenë Milloshi, se sot që janë BDI-ja dhe PDSH-ja. Nuk di çfarë të them, se shumë jam i ofenduar nga këto partitë tona, nuk mendoj që merr ndokush masa. Ai që vjen këtu me na pa se ku jemi dhe në çfarë halli jemi, ai do të fitojë prej neve, këtyre 1000 shtëpive, do të fitojë vota”, tha njëri nga banorët.

“Në lagjen Vizbeg shumë keq e përjetojmë këtë rrugën këtu, jemi katastrofë as në xhungëll nuk jetohet kështu. Fëmijët kur shkojnë në shkollë është katastrofë e madhe, as në shkollë nuk mund të shkojnë nga balta. Partitë tona shqiptare, flasin jo ai jo ky, na kanë lënë në baltë, na kanë lënë në harresë”, tha një banor tjetër.

“Shteti na ka lënë mbrapa, nuk na kanë shikuar nëse jemi gjallë. Qe 20 vjet që jemi këtu, askush nuk ka ardh me na pa a jemi të gjallë. Kemi reagu shumë herë, por nuk kemi përmirësim aspak. S’kemi as rrugë, as uj, as asgjë, vetëm vijnë na I kërkojnë të hollat për ujin, ndërkaq ujë nuk kemi askush nëpër këto shtëpi… Fajtorë janë kryesia shqiptare në Maqedoni, që janë në pushtet. Ali Ahmeti ato krejt që janë”, tha njëri nga banorët e anketuar.

Ata thonë se nëse edhe këtë herë nuk përmirësohet gjendja, do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, duke mos përjashtuar mundësinë edhe të bllokimit të rrugëve.

“Duhet mi thir ato që janë më të lartë, më kryesor që të vijnë të shohin, le të ecin fëmijët e tyre nëpër baltë, ta shohin se si është…. Nëse nuk ndërmirret asnjë masë, do të marrim detyrat tona që i kemi, do ta bllokojmë edhe rrugën që është në drejtim të Kosovës, do ta bëjmë edhe atë që e kemi planifiku. Shumica e njerëzve këtu nuk kanë dalë, për shkak të partive, punësimeve, kanë frikë të flasin”, thotë njëri nga banorët.

Ndërkaq, nga Komuna e Shuto Orizares thonë se është në vijim një marrëveshje dhe se presin nga Ministria e Financave që ta nënshkruajnë atë, dhe në momentin që do të nënshkruhet e njejta, do të fillojnë punimet.

“Pasi që vijon marrëveshja, presim nga Ministria e Financave, për shkak se janë të holla nga Banka Botërore, presim përfundimin respektivisht nënshkrimin e marrëveshjes së njëjtë, që të mund të veprojmë sipas të njëjtës. Sa të nënshkruhet Marrëveshja me Bankën Botërore, respektivisht me Ministrinë e Financave, ne do të fillojmë me punë në atë rrugë”, tha shef i Kabinetit të Kryetarit të Shuto Orizares, Adnan Memet.

Vizbegu është një lagje e shtrirë në tre komuna, pjesa e zonës industriale i takon komunës së Karposhit, pjesa ku ndodhet fabrika “Zhito Lluks” i takon komunës së Butelit, ndërkaq pjesa tjetër e banuar kryesisht me shqiptarë, dhe e lënë tërësisht pas dore, i takon komunës së Shutkës.

Comments