Barbra Streisand do të marrë Çmimin e Karrierës në Festivalin e Kanës
Ikona globale e muzikës dhe kinemasë, Barbra Streisand, do të nderohet me Palme d’Or – çmimin e karrierës gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kanë më 23 maj.
“Me krenari dhe përulësi të thellë, ndihem e nderuar të bashkohem me fituesit e tjerë të Çmimit, punimet e të cilëve gjithmonë më kanë inspiruar,” tha Streisand në një deklaratë. Ajo shtoi se filmi ka fuqinë të hapë zemrat dhe mendjet tona ndaj historive që reflektojnë njerëzimin tonë të përbashkët dhe perspektivat që na kujtojnë si dobësinë, ashtu edhe qëndrueshmërinë tonë.
Ky do të jetë hera e parë që Streisand do të marrë pjesë në Kanë. Drejtori i festivalit, Thierry Frémaux, e përshkroi artistes si një yll global dhe si “sintezë legjendare mes Broadway dhe Hollywood, mes skenës muzikore dhe ekranit të madh”.
Në njoftimin për shtyp, Festivali i Kanës thekson se Streisand ka arritur kulmin e industrisë së argëtimit si askush tjetër dhe se ndikimi i saj në kulturën pop në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të është i jashtëzakonshëm.
Ajo është gjithashtu e njohur për aktivitetet e saj humanitare, përfshirë Qendrën e Zemrës për Gratë “Barbra Streisand” në Institutin e Zemrës Cedars-Sinai, si dhe mbështetjen për të drejtat e grave dhe minoriteteve, LGBTQ+, çështjet mjedisore, kërkimin mjekësor dhe edukimin artistik për fëmijët në nevojë.
Festivali i 79-të i Kanës do të zhvillohet nga 12 deri më 23 maj.
Përveç çmimit, Streisand pritet të performojë “The Way We Were” gjatë ceremonisë së Oscars, në segmentin In Memoriam, për nder të Robert Redford.

