BDI: Dygjuhësia do të ndihmojë shqiptarët ekonomikisht
Përmes barazisë së gjuhës shqipe, nuk do të arrihet vetëm përfitim politik dhe më shumë të drejta për shqiptarët, por do përfitohet edhe ekonomikisht.
Kështu deklaruan kandidatët e BDI-së për deputetë, në Konferencën Ekonomike, ku u promovua shtylla kryesore e fushatës, ajo e Zhvillimit dhe Barazisë Ekonomike.
Sipas tyre përmes barazisë gjuhësore, qasja e shqiptarëve në tregun e punës do jetë më e lehtë, duke i’u garantuar atyre mirëqenie më të mirë sociale dhe ekonomike.
“Një nga pesë Përbetimet e fushatës së BDI-së është dygjuhësia në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën, si dhe barazia e gjuhës shqipe. Kjo nuk paraqet vetëm përfitim politik dhe realizim të të drejtave të shqiptarëve, por edhe përfitim të rëndësishëm ekonomik, i cili shqiptarëve do t’u sigurojë punësim më të lehtë në administratën publike, përparim më të lehtë të karrierës në kuadër të së njëjtës si edhe kushte më të mira dhe pozita më të mira në tregun e forcës së punës, si në shtëpi ashtu edhe në rajon” – tha Artan Grubi, bartës i listës në Nj.z. nr 1nga rradhët e BDI-së.
“Me anë të kontrollit të përpilimit dhe zbatimit të Buxhetit, BDI-ja do të sigurojë zhvillim të barabartë dhe zbatim të interesave ekonomike të Shqiptarëve. Kjo do të thotë zhvillim më i madh i rajonit veriperëndimor, më shumë punësime për Shqiptarët, paga më të larta, më shumë punë për bizneset shqiptare, kushte më të mira për zhvillim të sipërmarrësisë dhe në përgjithësi, standard jetësor më i lartë për Shqiptarët” – u shpreh Ejup Alimi, bartësi i listës për Nj.z. nr. 2 nga rradhët e BDI-së.
“Krijimi i shtetit juridik stabil, si edhe integrimi i Republikës së Maqedonisë në BE dhe NATO, paraqesin parakushtet themelore për zhvillim ekonomik më të shpejtë, për progres më të shpejtë civilizues dhe për sigurimin e standardit të përgjithshëm më të lartë të jetës. Këto janë përfitime të cilat do i ndjejnë të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë, pa dallim se cilit grupacion etnik, fetar ose politik i takojnë. Këto janë çështje për të cilat ekziston konsensus dhe prandaj, zgjidhja e këtyre çështjeve është një nga pesë “Përbetimet” e BDI-së” – deklaroi Agim Shaqiri bartësi i listës për Nj.z. nr.5 nga rradhët e BDI-së.