Takime të reja nuk janë paralajmëruar, por nëse LSDM pranon pikat e panegociueshme të BDI-së, posaçërisht zyrtarizimin e gjuhës shqipe në nivel republike, bisedimet për formimin e qeverisë pritet të përfundojnë shpejt.
“Ditën e sotme e shfrytëzuam për konsultime brendapartiake. Në rast se ka takime të reja, do t’ju njoftojmë me kohë”,- deklaroi Petar Shilegov nga LSDM.
Ndërkohë, shefi i kabinetit të kreut të BDI-së, Artan Grubi, vlerëson se LSDM s’ka pse të mos e pranojë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare. Sipas tij, nëse pranohen këto kërkesa, bisedimet për qeveri mund të përfundojnë shpejtë.
“Në qoftë se ka frymë konstruktive dhe në qoftë se ka gatishmëri për t’i reflektuar këto nevoja, po, absolutisht po”,– tha Artan Grubi për televizionin Alsat.
Mirëpo, VMRO ka paralajmëruar se një qeveri pa partinë fituese do të përballet me shumë probleme.
“Çdo parti që merr vendim të formojë koalicion pa partinë që ka fituar më shumë vota dhe mbështetje më të madhe të qytetarëve në zgjedhje, duhet të di se në të njëjtën kohë merr vendim që të përballet me probleme tipike për situata kur injorohet vullneti i shumicës së qytetarëve”,– thuhet në kumtesën e VMRO DPMNE-së, duke shtuar se parimi fituesi me fituesin duhet vlejë vazhdimisht.
Partia e Gruevskit vlerëson se në Maqedoni janë krijuar kushte për zgjedhje të parakohshme parlamentare për shkak të shumicës së ngushtë parlamentare që mund të bëhet.