BE-ja godet gjigandët amerikanë të teknologjisë: “Apple” e “Meta” gjobiten me 700 milionë €

Bashkimi Evropian ka vendosur të godasë dy nga gjigantët më të mëdhenj të teknologjisë, duke vendosur sanksionet e para nën Aktin e ri të Tregjeve Digjitale.
“Apple” u gjobit me 500 milionë euro, ndërsa “Meta”, kompania që përmbledh Facebook, Instagram dhe WhatsApp, u gjobit me 200 milionë euro, për shkelje të rregullave që synojnë të frenojnë abuzimin me pozitat dominuese në tregun digjital.
Këto janë penalizimet e para që rrjedhin nga legjislacioni i ri i BE-së, i cili hyri në fuqi për të garantuar konkurrencë më të ndershme në një treg të dominuar nga pak korporata teknologjike.

Komisioni Evropian, që shërben si krahu ekzekutiv i BE-së, tha se hetimet njëvjeçare zbuluan praktika të “Apple”-t dhe “Meta”-s që pengojnë konkurrencën dhe dëmtojnë interesat e konsumatorëve evropianë. Ndër të tjera, “Apple” akuzohet se ka kufizuar zhvilluesit në mënyrën se si promovojnë shërbimet e tyre jashtë “App Store”, ndërsa “Meta” për praktika që lidhen me të dhënat personale të përdoruesve dhe modelet e reklamimit.
Vendimi i BE-së mund të nxisë një reagim nga Uashingtoni. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të vendosë tarifa tregtare ndaj vendeve të BE-së, të cilat sipas tij, “sulmojnë në mënyrë të padrejtë kompanitë amerikane”.
Ai e ka cilësuar këtë si një përpjekje të Evropës për të përfituar ekonomikisht nga fuqia dhe suksesi i teknologjisë amerikane.