BE-ja nuk u beson institucioneve të Maqedonisë, do t’i ndajë vet fondet


Zyra e BE-së në Shkup do të jetë përgjegjësja e vetme për shpërndarjen e fondeve nga projekti IPA2, duke anashkaluar institucionet vendase të cilat për shkak të keqpërdorimeve të mëhershme do të privohen nga kjo e drejtë. Një fond prej 3 milionë eurove është parashikuar për projekte bashkëpunimi ndërkufitar Shqipëri – Maqedoni.

Aplikantët do të dërgojnë projektet e tyre drejpërdrejt te zyra e BE-së në vend, dhe nëse shpallen fitues do t’i pranojnë fondet po nga kjo zyrë pa patur nevojë të aplikojnë në institucionet e qeverisë si më parë – informon Zhurnal.
Sipas ambasadorit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, prioritet do të kenë projekte nga fusha e kulturës, zhvillimit socio-ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit jetësor. Me projekte mund të konkurojnë komunat e brezit kufitar por edhe ndërmarrje publike dhe organizata joqeveritare.
Nga projekti paraardhës, IPA1, u realizuan gjithsejt 7.2 milionë fonde për bashkëpunim të zonave kufitare mes maqedonisë dhe Shqipërisë.