Behrami: VV-ja mund të ketë futur vota edhe për PDK-në, për ta fshehur manipulimin

69
fresco

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka reaguar pas raportimeve për manipulim të votave në Mitrovicën e Jugut, duke thënë se shumica e fletëvotimeve të dyshuara janë në favor të kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.

Në Tëvë1, Behrami ka deklaruar se PDK ka gjetur prova që, sipas tij, vërtetojnë se pas këtij procesi qëndron Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë e definova kush është hani dhe kush është manipuluesi. Definohet shumë qartë: 99% e këtyre fletëvotimeve me kod të parregullt janë vota për Faton Pecin. Ky është fakt i mjaftueshëm për të vërtetuar që pas kësaj është LVV-ja,” tha Behrami.

Ai shtoi se të gjitha fletëvotimet me numër serik të parregullt janë në favor të kandidatit të VV-së.

“Pra, të gjitha votat – 99% e fletëvotimeve me numër serik – janë në emër të Faton Pecit. Kjo është dëshmi e mjaftueshme që pas kësaj qëndron LVV-ja,” theksoi ai.

Deputeti i PDK-së nuk e përjashtoi mundësinë që të ketë edhe fletëvotime me numra serikë të pasaktë për partinë e tij, duke e quajtur këtë një mënyrë për të krijuar mbulesë ndaj manipulimeve.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që, për të ndritur dyshimet, edhe disa fletëvotime për PDK-në të kenë numër serik të gabuar. VV-ja ndonjëherë mund t’i ketë dhënë edhe ndonjë votë Arian Tahirit. Por kjo nuk e largon mundësinë se manipulimi është bërë nga ata,” u shpreh Behrami.

Ai shtoi se çështja e fletëvotimeve të dyshuara e diskrediton të gjithë procesin zgjedhor.

“Kur po flas për fletëvotimet, nuk po e përmend emrin e askujt tjetër, por ato që s’kanë numër serik e diskreditojnë krejt procesin,” tha tutje ai.

Behrami tha se PDK-ja tashmë ka dorëzuar ankesë në PZAP dhe ka kërkuar që Prokuroria Speciale të përfshihet në hetimin e kësaj çështjeje, duke e cilësuar atë si “krim elektoral të organizuar”.

Comments