Bejli për Alsat: Ftesa për në NATO, një ftesë e vërtetë

260

Z. Bejli. Maqedonia mori ftesë për anëtarësim në NATO por me kusht. Çfarë do të thotë kjo ftesë për Maqedoninë në aspektin e sigurisë?

„Maqedonia mori ftesë për të filluar bisedimet për anëtarësim në NATO. Ky është një zhvillim shumë i madh për këtë vend. Kështu fillon procesi i anëtarësimit për çdo shtet aspirant. Pra fillon me ftesë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Kjo është në fakt procedurë për çdo vend aspirtant për çështjet aktuale, reformat të cilat anëtarët do t’i përmbushin gjatë këtij procesi. Për Maqedoninë do të thotë zbatim i Marrëveshjes së Prespës. Por ky është i njëjti proces për çdo shtet anëtar, për Shqipërinë, Malin e Zi, për shtetet që janë bashkuar më parë në NATO. Pra është një ftesë e vërtetë.“

Dhe çfarë do të thotë ftesa për Maqedoninë në aspektin e sigurisë?

„Mendoj se nga aspekti i sigurisë, festa për në NATO do të thotë se Maqedonia ka shansin t’i bashkohet aleancës më të sigurt në botë. Mendoj se kjo do të mbështesë sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë. Të dyja këto kontribuojnë në terme afatgjata për prosperitet ekonomik. Kështu që unë mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Maqedoninë, që mbështetet nga 75% e qytetarëve të këtij vendi. Dhe ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm. Kjo gjithashtu do të përmirësojë dhe sigurinë e rajonit. Kjo është diçka që mbështet vendi im, sepse siguria jonë është shumë e lidhur me sigurinë në Evropë.“

Ndërkohë si mendoni se do të reflektohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO ndaj marrëdhënieve ndëretnike?

„Mendoj se çështjet e tensioneve ndëretnike, nuk mendoj që ky diskutim rreth anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe çështja e marrëveshjes me Greqinë duhet të përfshijë dhe tensionet ndëretnike. Këto janë vendime të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, të angazhohen dhe të vendosin. Do të ketë njerëz që do të nxisin incidente dhe ndoshta do të tentojnë të krijojnë konflikte ndëretnike. Kemi vdekjen tragjike të Nikolla Sazdovskit para disa ditësh. Në këto rrethana nuk ka vend për një dhunë të tillë. Njerëzit duhet të jenë të qetë. Dhunuesit duhet të nxirren përpara drejtësisë. Dhe mendoj se ajo që tani ka rëndësi është njerëzit të mos i bashkohen diskursit të konfliktit ndëretnik, por të dalin përpara qytetarëve dhe të kenë një debat të mirë, të shëndoshë. Jo të gjithë do të pajtohen. Kjo është normale në një demokraci, por një debat i hapur, i shëndoshë mund të ndihmojë vendin të vendos për të ardhmen e tij. Kjo është ajo që nevojitet tani.“

Ndërkohë Maqedonia, z. Ambasador, ndodhet përpara referendumit. Anëtarësimi në NATO varet nga suksesi i referendumit që do të mbahet këtë vjeshtë. Mendoni se vendi ka të themi potencial demokratik që ta kalojë këtë sfidë?

„Absolutisht. Nuk mendoj se Maqedonisë do t’i ofrohej anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike nëse nuk do të kishte aftësinë për ta tejkaluar këtë sfidë. Të jesh një demokraci e shëndoshë dhe funksionale është kusht i të qenurit anëtar i NATO-s. Jam shumë i bindur se liderët e vendit, institucionet e vendit dhe qytetarët e këtij vendi, mund të bashkohen dhe të marrin vendim. Unë mendoj se në fund do të zgjedhin të ardhme në NATO dhe në BE.“

VMRO-DPMNE ende nuk e ka të qartë pozicionin e saj politik për sa i përket referendumit edhe pse vite me radhë ka kërkuar referendum për çështjen e emrit. Si pritni që kjo parti të sillet në referendumin e vjeshtës, kur dihet se VMRO-ja thotë se me marrëveshjen me Greqinë ka kapitulluar Maqedonia?

„Unë mendoj se tani qytetarët e këtij vendi pa dallim në cilën anë janë, pa dallim kujt komuniteti i përkasin, kanë mundësinë të vendosin për të ardhmen e tyre. Nga njëra anë ata mund të mbështesin marrëveshjen me Greqinë, që hap mundësinë e anëtarësimit në BE dhe çon drejt anëtarësimit në NATO. Këto janë gjëra të vërteta. Janë vendime të rëndësishme që duhen ndërmarr tani. Në të kaluarën VMRO në biseda private ose publike me mua ka qenë një mbështetës i fortë për integrimet euroatlantike të Maqedonisë. Në të njëjtën kohë kanë pasur problem me çështjen e emrit. Individët janë ata qe duhet të vendosin se çfarë është e rëndësishme, çfarë është e rëndësishme për të ardhmen e vendit të tyre. Kjo duhet bërë në mënyrë demokratike dhe të gjitha komunitet dhe partitë duhet të vendosin për diçka të tillë. E kuptoj që ky është një vendim i vështirë, por në fund është një vendim ndërmjet mbështetjes së Marrëveshjes për emrin, duke ecur përpara me anëtarësim në NATO, si dhe BE ose të qëndrohet në situatën aktuale.“

Dhe nëse VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare sipas modelit të Përzhinos, mendoni se duhet të pranohet me kushtin që VMRO-DPMNE të marr pjesë në referendum?

„Ky është një vendim politik që partitë duhet të vendosin në Parlament. Parlamenti duhet t’i vendosë kushtet për referendumin. Kjo përfshin politikanë dhe do t’jua lë atyre në dorë të vendosin se ç’është më e rëndësishme, por unë mendoj se është e rëndësishme që referendumi të vazhdojë, procesi të fillojë. Prandaj është koha për përgatitjet e duhura dhe të merret vendimi dhe të qëndrohet në linjë me obligimet që Qeveria e Maqedonisë ka marr persiper me Marrëveshjen e Prespës për të mundësuar që marrëveshje të shkojë për ratifikim në Greqi, të lejojë nënshkrimin e ratifikimit për fillim të anëtarësimit në NATO. Pra mendoj se është me rëndësi të merren vendime në lidhje me këto çështje dhe të shkohet me referendum.“

Z. Ambasador, a po luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivelin e duhur në Maqedoni?

„Unë kam qenë i hapur në lidhje me këtë çështje dhe nevojën për luftë kundër korrupsionit. Por kjo nuk është diçka që ndodh brenda natës. Vendosja e sundimit të ligjit, vendosja e përgjegjësisë për korrupsion apo çdo lloj tjetër krimi është një çështje e rëndësishme që Maqedonia të ecë përpara, që të mundet qytetarët të gëzojnë sundimin e ligjit. Kjo është pjesë e anëtarësimit në NATO, është pjesë e anëtarësimit në BE. Dhe më herët kam thënë se një vend me sundim të dobët të ligjit dhe me korrupsion është i dobët nga aspekti i sigurisë. Kështu që është me rëndësi të adresohen këto çështje. Ka masa që duhet të ndërmarrin institucionet, por është e rëndësishme që dhe individë të vendosin për sjelljen e tyre. Në fund të ditës bëhet fjalë për integritet personal që asnjë institucion nuk mund ta kontrollojë. Njerëzit duhet të zgjedhin të japin apo të marrin ryshfet, ato janë zgjidhje individuale dhe institucionet mund ta rregullojnë atë, por personaliteti është një pjesë e rëndësishme.“

A ka nevojë të themi Maqedonia për një Veting siç ndodh në Shqipëri?

„Maqedonia ka vendosur të jetë pjesë e negociatave me BE-në, strategjive juridike për t’u marr me çështje si emërimi i gjykatësve, disiplina e gjykatësve dhe gjëra të tilla. Të dyja shtetet, Maqedonia dhe Shqipëria kanë probleme me çështjen e sundimit të ligjit. Ato janë shtete të ndryshme, kanë çështje të ndryshme. Pra nuk mendoj se një zgjidhje është e përshtatshme për të dy vendet. Pra mendoj se Qeveria ka identifikuar strategji me të cilën duhet të ecë përpara dhe ne do të shohim si do të funksionojë ajo.“

Për fund z. Ambasador, ku e shihni Maqedoninë, të themi, pas një viti?

„Shpresoj ta shoh Maqedoninë si Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtarja e 30-të e NATO-s. Mendoj se kjo është e rëndësishme për shkak se shumë njerëz në këtë shtet e ndjejnë një lloj nervozizmi për ardhmërinë e këtij shteti, disa madje thonë se ose do të ndahemi ose gjëra të ngjashme. Dhe mendoj se kjo është mundësi e mirë që të ndaleni dhe të shikoni historinë në 100 vitet e fundit, problemet, ndonjëherë dhunë, çështjet me Bullgarinë, Shqipërinë dhe Greqinë. Tani e keni shansin që fqinjët t’i bëni Aleatë. Dhe kjo do të thotë se ata do të respektojnë integritetin territorial, sovranitetin tuaj dhe ju të atyre. Dhe mendoj se ky është një ndryshim i madh për këtë rajon, nëse e krahasoni me kursin e shekullit të kaluar.“

Z. Ambasador, ju faleminderit që pranuat ftesën për të bërë intervistë në Alsat.

„Ju faleminderit.“

Alsat

Comments