Beogradi do paguajë borxhet e Kosovës deri në vitin 2041

292

Gazeta serbe “Blic” shkruan se borxhi përfundimtar i Kosovës më 30 qershor të këtij ka qenë 304.5 milionë euro. Por, sipas saj, borxhin nuk e paguan Kosova, por Serbia dhe këtë do e bëjë deri në vitin 2041. Sipas BLIC, pjesën më të madhe të borxhit të Kosovës Serbia tashmë e ka paguar sepse detyrimet para dhjetë vjetësh ishin rreth një miliard euro.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore të Serbisë, detyrimet e Kosovës të cilat i ka marrë përsipër Serbia me marrëveshje të riprogramuara që janë arritur në periudhën 2002 – 2005, kanë qenë rreth 932.73 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre borxheve janë marrë me marrëveshje nga vitet ’70 – ’90. Kreditorët dhe shumat janë të ndryshme: Serbia duhet t’i paguajë Bankës Botërore 433.31 milionë euro, Klubit të Parisit 297.20 milionë euro, Klubit të Londrës 169.85 milionë euro, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Europës 5.79 milionë euro, Shoqatës së Hekurudhave Europiane 4.62 milionë euro, Kuvajtit 18.10 milionë euro dhe BE-së për detyrime ndaj Bankës Europiane për Investime 0.43 milion euro.
Guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë, Jorgovanka Tabakovic ditë deklaroi se Serbia po paguan këto borxhe të Kosovës sepse ai territor me Kushtetutë është pjesë e Serbisë. “Po, kjo është specifike. Serbia e paguan atë borxh, sepse Kosovën e konsideron territor të vetin”, ka thënë ajo. Nga viti 2002 deri tani, sipas Blic, Serbia ka paguar për Kosovën borxhe të një vlere prej 649 milion euro.

Comments