Berisha: Kanabisi, pronë e qeverisë; Rama: Sali, urime që frymëzove Hollivudin

203
 

Berisha: Kanabisi, pronë e qeverisë; Rama: Sali, urime që frymëzove Hollivudin

Tension ka shkaktuar në seancë plenare deklarata e kryeministrit Rama, i cili i është përgjigjur parardhësit të tij në këtë detyrë duke i kujtuar Gërdecin dhe pasqyrimin e kësaj ngjarjeje në filmin “War Dogs”.

“Sali, të përgëzoj që arrite të bëheshe frymëzim edhe për Hollivudin dhe të sugjeroj që zyrën e avokatisë që ke ta vësh në përdorim për të drejtat e autorit, sepse pa ty filmi “War Dogs” nuk do të ishte bërë nga Hollivudi. Ti Sali je një “war dog” i vërtetë dhe suksesi yt ka arritur deri në Hollivud. Kjo është diçka që nuk mund të mbetet jashtë rrezes së vëmendjes dhe duhet të jetë diçka për të mbajtur mend”, ka thënë Rama.

Fjalët e tij kanë bërë që deputeti Flamur Noka të ngrihet nga ulësja e tij dhe t’i kërkojë kreut të mazhorancës që të kërkojë falje për fjalorin. “Ku është fjalori këtu? Hollivudin nuk mund ta censurosh”, i është përgjigjur Rama Nokës.

Më tej Rama u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës sa i takon ndikimit të narkotikëve në zgjedhjet e Dibrës.

“Përgjigjia ime për dibranët ka qenë e prerë: fusni në tokë parcelat në çdo shfaqje cirku të partisë demokratike. Saliu dhe të tjerët kapen si i mbyturi pas gjethes së kanabisit, pasi thonë se ‘ne e dinim se kështu do të ndodhte’”, ka thënë Rama.

Ai ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se, raportet e shërbimeve policore të vendeve të tjera kritikojnë qeverinë.

“Departamenti amerikan i Shtetit thotë diçka tjetër nga ajo që thoni ju për luftën kundër kanabisit dhe nuk e thotë me një deklaratë spontane, por me tre raporte rresht në 2013, 2014 dhe 2015. Për vitet 2014 dhe 2015, DASH thotë se shteti shqiptar ka bërë një avancim mbresëlënës në luftën kundër drogës”, ka thënë Rama.

Sipas tij, edhe raporti i Guardia di Finanza thotë se, në vitin 2014-2015 sipërfaqja e mbjellë me kanabis në vend ka qenë 8 herë më pak se në 2013 dhe se është shkatërruar nga qeveria 96 për qind e kësaj sipërfaqeje.

Berisha: Kanabisi, pronë e një organizate kriminale që quhet qeveri

Më herët, ish-kryeministri Berisha, duke marrë fjalën e tij në seancë plenare akuzoi qeverinë se, “përbën një organizatë kanabiste të vërtetë që mbulon kanabizimin në Shqipëri”.

“Përpiqen në një histeri të papërmbajtur të çirren, të shpifin e trillojnë, të citojnë dokumenta që nuk ekzistojnë vetëm e vetëm sepse mendojnë se në këtë mënyrë mund të lajnë me duar fytyrën e tyre të nxirë me kanabis”, deklaroi Berisha duke iu referuar ministrave.

Sipas tij, kjo qeveri e ka kthyer vendin në një varrezë narkotikësh, që ka ndikuar edhe tek zgjedhjet në Dibër. “Dibra ishte një nga varret e kësaj varreze ku ju keni futur votën e shqiptarëve, ku keni varrosur vullnetin e lirë të shqiptarëve”, tha Berisha, duke shtaur se, prapa aferave të bëra në Dibër qëndron deputeti Sadri Abazi dhe kryeministri Rama.

“Prapa çjerrjeve histerike të Sadri Abazit në Dibër qëndrojnë vjedhjet e miliona e miliona eurove në bashkëpunim me Edi Ramën. Ishte ndërtimi i pallateve të tij me industrinë e drogës dhe pengmarrjet”, vijoi ish-kryeministri.

Ai theksoi se, është e kotë që çështja e kanabisit të trajtohet duke drejtuar gishtin tek fshatarët kultivues, në një kohë “kur droga është në duart e Edi Ramës dhe Saje qorrit”. Ai komentoi edhe uljen e avionit italian mëngjesin e sotëm në Ishëm. “Iku Riformato erdhi Guido. A e dini ju që ky Guido është në ndjekje penale nga Gjykata e Lartë”, tha Berisha.

Më tej, Berisha dha variantin e tij se si kryeministri shpërndan drogën dhe mbledh taksën e saj. “E dini si e mbledh Rama taksën e drogës? Ja u them unë. E mbledh Ardian Çela, kryetari i OSHEE-së, makinat e të cilës transportojnë në të katër anët e Shqipërisë drogën me taksë për Edi Ramën. Sipas raporteve të shërbimeve partnere, të paktën 20 milionë rrënjë kanabis janë mbjellë në Shqipëri”, pohoi Berisha gjatë fjalës së tij.

Ai shtoi se, “kanabisi është pronë e një organizate kriminale që quhet qeveri shqiptare, e birësuar nga Edi Rama e që po zëvendëson investimet, prandaj dhe bandat sulmuan biznesmenin që do të investonte në bregdet”.

Ish-kryetari i PD akuzoi krerët e qeverisë se “i kanë bërë gropën” edhe ish-kolegut të tyre Koço Kokëdhima, ndërsa sa u takon zgjedhjeve në Dibër u shpreh:

“Dita e diel ishte një ngjarje e paralajmëruar. Edi Rama përdori gjithë potencialin kriminal jo vetëm të DDibrës, por falangat e krimit nga çdo cep i vendit. Makineria kriminale zbarkoi me të gjitha instrumentet e saj në Dibër”.

“Ta rrëzojmë këtë qeveri monstruoze që po vjedh cdo ditë pasuritë e qytetarëve. Ta rrëzojmë këtë qeveri sepse përndryshe ju, fëmijëve tuaj ju pret ose eksodi, ose droga”, shtoi Berisha.

Lidhur me komentet e Ramës për filmin “War Dogs” ish-kryeministri Berisha theksoi se në të ka zero fjalë për të, apo familjen e tij.

“Rama më quajti qen lufte, unë mund ta quaj qen droge, jo që e zbulon, por që e ruan. Në filmin “War Dogs” ka zero fjalë për mua, apo familjen time.”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.

/ Top Channel

Comments