“Vuaj dhe ndiej një dhimbje të madhe kur shoh Milanin të vuajë, sepse gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Dhe nuk jam dakord me aktivizimin e disa lojtarëve dhe me modulin e përdorur në këtë periudhë”, ka qenë deklarata e dhënë sot për mediat italiane nga ish-presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi. Ai përpiqet të tregojë se çfarë i mungon dhe e pengon Milanin të arrijë rezultatet e duhura. “Nuk është e mundur që të luhet vetëm me një sulmues, pasi ai shpesh gjendet në vështirësi në mes të mbrojtes kundërshtare. Zgjidhja? E thjeshtë, dy sulmues dhe Bonaventura që luan si mesfushor i avancuar”, thotë Berlusconi.
Ish-presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi
Në 20 vite në krye të skuadrës kuqezi, Silvio Berlusconi ka qenë gjithnjë i aftë në merkato, për të zbuluar dhe për të sjellë në “San Siro” kampionë të mëdhenj, lojtarë që kanë bërë historinë e futbollit. Ndërsa në skuadrën aktuale ata mungojnë, nuk ka një futbollist që të konsiderohet si “top player”. “Mund të them se janë 3 të tillë, jo më shumë. Përveç Bonaventura, që nuk është inferior krahasuar me Kakà, shoh si lojtarë të mëdhenj vetëm Donnarumma dhe Suso”, u shpreh Berlusconi. Duke folur për trajneri Gennaro Gattuso, ai shton: “I uroj punë të mbarë, por edhe sot po shoh se po luan me modulin e gabuar, pasi me një sulmues nuk fitohen ndeshjet”.