Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE iu kanë bashkangjitur reagimeve ndaj skandalit…
Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE iu kanë bashkangjitur reagimeve ndaj skandalit në të cilin është përfshirë Agjencia për Rini dhe Sport me përmbledhjen e poezive me përmbajtje antishqiptare, duke kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e drejtorit të kësaj agjencie, Darko Kaevskit.
“Në kohën që autori i poezisë heq dorë nga autorësia, në kohën që drejtori i Agjencisë për të Rinj dhe Sport i rrudh krahët dhe luan rolin se nuk e di se për çfarë bëhet fjalë, ky është një shans që së paku kryeministri të dëshmojë se e ka brengën e shoqërisë multietnike, në të kundërtën i bije se të gjithë e mbështesin botimin e të ashtuquajturave poezi”,- theksoi Florina Emini nga Lëvizja Besa.
Dita-ditës qeverisja LSDM-BDI po i ngjan asaj mes BDI-së me VMRO-në, vlerësojnë nga Aleanca për Shqiptarët.
“Dita-ditës qeverisja LSDM-BDI i ngjan asaj të BDI-së me VMRO-në. Skandali qe shpërtheu këto ditë na e kujtojnë kohën e VMRO-së dhe BDI-së dhe publikimit të Enciklopedisë Maqedonase nga ana e Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, ku gjithashtu fyheshin shqiptarët si njerëz të egër, të prapambetur dhe të ardhur prej maleve”,- thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët, nga e cila kërkojnë nga Qeveria, e sidomos nga BDI, që të distancohen nga ky veprim i turpshëm, të marrin masa konkrete që botimi urgjentisht të tërhiqet.
Edhe VMRO-DPMNE vlerëson se Darko Kaevski duhet të përgjigjet dhe të japë dorëheqje nga funksioni drejtor i Agjencisë për Rini dhe Sport, duke marrë përgjegjësi për skandalin që tronditi opinionin e gjerë në Maqedoni.
“Përgjegjësi patjetër duhet të ketë për poezitë skandaloze që dolën në opinion dhe që paraqesin shovinizëm, gjuhë të urrejtjes dhe këtë duhet ta bëjë menjëherë”,- theksoi Stefan Andonovski nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO thonë se Kaevski duhet t’i kthejë paratë që janë dedikuar për të botuar librin, sepse ai është në dëm të qytetarëve.
Drejtori i Agjencisë për Rini dhe Sport, Darko Kaevski, i ka kërkuar falje opinionit për skandalin, duke theksuar se ndjen përgjegjësi morale dhe profesionale, por nuk do të japë dorëheqje. Ai thotë se do të nis hetim për të gjetur fajtorin.
Po ashtu Agjencia e Rinisë dhe Sportit ka vendosur ta tërheqë përmbledhjen me poezi kontestuese që e botoi në kuadër të projektit “Poetë të rinj”, të financuar me 150 mijë denarë.
Njëra prej vjershave me titull “E punësuar partiakisht” është shkruar me fjalor ofendues dhe nënçmues për gratë. Vjersha e dytë “Fqinjët e mi” përmban mesazhe shoviniste:
Agimi është vozitës,
Burimi është rrobaqepës,
Vetoni është saldues,
Dardani është kontrabandist,
Gjergji është intrigant,
I rrethuar me shqiptarë ndjehem si mbret.
Broshura është shtypur në pesë mijë ekzemplarë dhe një pjesë e tyre tashmë kanë arritur deri tek lexuesit përmes gazetave ditore.
Ndërsa Aleksandar Bllazhevski ka deklaruar se është autor i poezive në përmbledhjen “Poetë të rinj”, por ka përdorur emrin e Daniel Pilakovskit, sepse nuk i ka plotësuar kushtet e konkursit të Agjencisë për Rini dhe Sport për financim të tij.
Edhe përkundër vargjeve të lartpërmendura, ai e ka vlerësuar se në poezitë e tij nuk ka gjuhë të urrejtjes.
FITORE DEMOLLI