BESA dhe Aleanca paralajmërojnë bashkëpunimin mes tyre

253

Kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela dhe ai i Lëvizjes Besa Bilall Kasami kanë paralajmëruar bashkëpunimin mes këtyre dy subjekteve politike në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Kreu i Aleancës tha se rezultatet e arritura në raundin e parë diktojnë bashkëpunimin me Besën, ndërkaq Kreu i Besës Kasami deklaroi se gjatë ditës së sotme do të ketë takim me Selën për të konkretizuar bashkëpunimin. Rrethi i dytë zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor.

“Këto janë zgjedhje lokale dhe rezultatet e raundit të parë diktojnë bisedimet që duhen bërë për raundin e dytë. Sovrani foli më 15 tetor dhe natyrisht që veprimet tona politike do të jenë të bazuara në bazë të mesazhit që dha sovrani në raundin e parë. Nuk ka asnjëfarë logjike tani të them se do kemi bashkëpunim me BDI-në kur në garë për raundin e dytë jemi me kundër-kandidatin e BDI-së. Qytetarët më 15 tetor treguan se me kë ne duhet të koalicionojmë”, tha Ziadin Sela, Aleanca për Shqiptarët.

“Sot unë do të komunikoj me kryetarin e Aeancës për Shqiptarët Ziadin Sela me qëllim që t’i fillojmë bisedimet dhe t’i konkretizojmë mundësitë e bashkëpunimit për balotazh në të gjithë ato komuna ku ne shkojmë që të mund të maksimizojmë rezultatin zgjedhor”, u shpreh Bilall Kasami, Lëvizja BESA.

Comments