Beteja për komunat kryesore dhe ndikimi i balancave të reja politike
Të dielën, mbi 1 milion qytetarë do t’u drejtohen kutive të votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Përballje më të forta priten mes koalicioneve shqiptare VLEN dhe AKI në Tetovë, Strugë e Bogovinë, si dhe mes VMRO-së dhe LSDM-së në 16 komuna. Gjithashtu me interes të madh po shihet edhe gara në Kërçovë dhe Bërvencië, ku në garë janë kandidatë shqiptarë dhe maqedonas. Fushata është shoqëruar me thirrje për mobilizim dhe unitet, ndërsa rezultatet pritet të përcaktojnë balancat e reja politike në vend
Ersan PAJAZITI
Shkup, 31 tetor – Të dielën, mbi 1 milion qytetarë të Maqedonisë së Veriut do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e komunave në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohet në 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit, si dhe në tre qendra votimi në Shuto Orizarë për zgjedhjen e këshilltarëve. Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), të drejtë vote kanë 1.013.375 qytetarë, ndërsa 4.826 persona të sëmurë, të dobët, të burgosur dhe persona në arrest shtëpiak do të votojnë një ditë më herët – të shtunën. Numri më i madh i votuesve të regjistruar në këto kategori është në Kërçovë, me 823 votues. Procesi do të monitorohet nga 1.598 vëzhgues, prej të cilëve 933 janë vendas dhe 651 ndërkombëtarë.
PËRBALLJET KRYESORE: VLEN DHE AKI NË 3 KOMUNA, VMRO DHE LSDM NË 16
Në Tetovë, Strugë dhe Bogovinë do të zhvillohen përballje të ashpra mes dy koalicioneve shqiptare – VLEN dhe Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI). Gara më e ndjekur është ajo e Tetovës, ku Bilall Kasami (VLEN) përballet me Bajram Rexhepin (AKI). Diferenca në raundin e parë ishte më pak se 4.000 vota në favor të Kasamit, ndërsa LSDM dhe VMRO-DPMNE nuk kishin kandidatë në këtë komunë. Në Strugë, gara është gjithashtu e fortë, pasi kandidati i pavarur Mendi Qyra mori mbështetjen publike të VLEN-it, ndërsa në Bogovinë po pritet një duel i ngushtë mes dy blloqeve shqiptare.
Në Kërçovë, qytetarët do të zgjedhin mes Fatmir Deharit nga BDI dhe Aleksandar Jovanovskit nga VMRO-DPMNE, në një garë që po vlerësohet si test i ndjeshëm ndëretnik dhe politik.
Ndërkohë, në 16 komuna, votuesit do të zgjedhin mes kandidatëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, përballje që pritet të përcaktojnë fuqinë reale të opozitës socialdemokrate, e cila në raundin e parë fitoi vetëm 3 komuna, kundrejt 33 komunave të fituara nga VMRO-DPMNE. Në kryeqytet, beteja për Shkupin do të zhvillohet mes Orce Gjeorgjievskit (VMRO-DPMNE) dhe Amar Mecinoviçit (Levicë). Ndërkohë, kandidati i AKI-së për Tetovën, Bajram Rexhepi, ka bërë thirrje për mobilizim të plotë në çdo shtab të partisë në prag të votimit të 2 nëntorit.
“Mobilizim të shkallës së lartë në çdo shtab të Aleancës Kombëtare për Integrim,” – ka shkruar ai në rrjetet sociale, duke theksuar se fushata e tij bazohet në bashkim, barazi dhe rikthim të qytetit tek qytetarët.
FILIPÇE: NUK KA MARRËVESHJE TË FSHEHTA PËR RAUNDIN E DYTË
Kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi në një konferencë për media se partia e tij nuk ka arritur asnjë marrëveshje politike me ndonjë subjekt tjetër për raundin e dytë. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të mbështesin kandidatët e LSDM-së. “Votimi është protesta më e fortë kundër asaj që po ndodh në shtet. Kandidatët tanë do të punojnë për qytetarët, jo për partitë,” – tha Filipçe. Ai sqaroi se LSDM nuk do të mbështesë asnjërën palë në garën për Shkupin, as në komunën e Karposhit, duke shtuar se partia e tij synon forcimin e alternativës opozitare.
MICKOSKI ME SYTË KAH KËRÇOVA
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në tubimin përmbyllës në Shkup, u bëri thirrje qytetarëve që të mos lejojnë ndarjet dhe urrejtjen të dominojnë fushatën. “Kërçova ka një mundësi historike të zgjedhë një kryetar që do të jetë i të gjithëve, pa dallime etnike apo fetare. Le të bëjmë që qyteti të bëhet simbol i bashkëjetesës dhe i përparimit”, deklaroi Mickoski. Ai u bëri thirrje maqedonasve, shqiptarëve, turqve, vllehëve, romëve, serbëve dhe boshnjakëve që të dalin në votime dhe të zgjedhin bashkimin në vend të përçarjes. “Pas 20 vitesh, Kërçova mund të ketë për herë të parë një kryetar që nuk pyet ‘i kujt je’, por ‘çfarë mund të bëjmë bashkë’”, shtoi ai.
Ai theksoi se këto zgjedhje nuk janë çështje përkatësie etnike, por çështje vlerash dhe përkushtimi ndaj të gjithë qytetarëve të Kërçovës, me qëllim që qyteti të bëhet simbol i unitetit, përparimit dhe fitores historike për të gjithë. “Njëzet vjet atje nuk ka pasur kryetar komune që të mbajë programin tonë, vlerat tona; nuk ka pasur njeri që të shohë për të gjithë, por vetëm për veten. Njëzet vjet qyteti ishte nën një qeverisje që shpesh i ndante njerëzit sipas fesë, kombësisë apo partisë”, tha Mickoski
Sipas KSHZ-së, raundi i parë i zgjedhjeve përfundoi me zgjedhjen e 44 kryetarëve komunash, ndërsa në katër komuna – Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë – zgjedhjet do të përsëriten nga fillimi për shkak të mospërmbushjes së censusit të daljes. Raundi i dytë pritet të përcaktojë balancat e reja politike në nivel lokal, si dhe raportet e forcave kryesore në skenën politike të vendit. (koha.mk)

