Blakaj i thotë veteranit të UÇK-së: Ruaji provat, se qëllimisht kanë rritur numrin

239

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, i cili ka përpiluar aktakuzën për veteranët mashtrues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i ka thënë veteranit të UÇK-së, Arben Boletinit, që t’i ruajë provat “pasi qëllimisht i kanë shtuar numrat”.

Veterani i UÇK-së Arben Boletini, pretendon se është pjesë e familjes së kryengritësit shqiptar Isa Boletini, i shkroi Blakajt të dielën në rrjetin social Facebook pasi e pa veten në listat e veteranëve të dyshuar si mashtrues.

“A je mirë? Qysh është e mundur me hjek nga lista e veteranëve të UÇK-së kur unë jam kanë pjesë e tri luftërave çlirimtare në Preshevë, Maqedoni dhe Kosovë. Turp, zoti i denoftë”, i tha Boletini – Blakajt, në një shkëmbim mesazhesh përmes Facebook-ut, të cilat i ka siguruar Insajderi.

E Blakaj i thotë Boletinit që t’i ruajë provat pasi, sipas tij, disa njerëz të tjerë i kanë shtuar qëllimisht numrat e “veteranëve mashtrues”.

“Ruaj provat, se qëllimisht i kanë shtu numrat…”, i ka thënë Blakaj Boletinit. “Afër 200 persona i kanë shtu. E për emra që i kanë publiku marre ju koftë atyre, se nuk bahet kështu drejtësia”.

Ndërkaq, Arben Boletini ka reaguar në rrjetin social Facebook lidhur me përfshirjen e tij në listat e veteranëve mashtrues, të cilat u publikuan dje në media.

“As gjumin nuk kanë me ba të qetë se më kanë hi në hak po Zoti është i madh ka me i dënu”, ka thënë Boletini përmes një shkrimi në Facebook.

Comments