Boro dhe Ramizi, shqiptari dhe serbi që vdiqën të përqafuar me njëri-tjetrin (Foto)

698

A ju kujtohen heronjtë kombëtarë Boro Vukmiroviq dhe Ramiz Sadiku që as vdekja nuk mundi t’i ndajë?

Në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, Boro dhe Ramizi përfaqësojnë një simbol të vëllazërisë dhe unitetit të popullit serb dhe shqiptar kundër luftës antifashiste në Kosovë. Emrat e tyre i mbajnë shumë rrugë dhe shkolla, si dhe qendra sportive në Prishtinë që u ndërtua në vitin 1977, transmeton InfoPress.

Së bashku ata morën pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishin një shembull i shkëlqyer i një lufte të përbashkët serbo-shqiptare anti-fashiste.

Në prill të vitit 1943, u kapën në rrugën nga Gjakova për në Prizren, u torturuan nga policia fashiste dhe pastaj u qëlluan së bashku në krahët e njëri-tjetrit, sepse nuk pranuan të ndahen.

Në prill të vitit 1943, Ramiz Sadiku dhe Boro Vukmiroviq, gjendeshin në Gjakovë. Pasi që në atë kohë Svetozar Vukmanoviq, një anëtar i Komitetit Jugosllav Qendror dhe Shtabit Suprem të partizanëve, erdhi në Prizren, Ramizi dhe Boro ishin nisur për ta takuar. Në rrugën për në Prizren, më 7 prill 1943 në afërsi të fshatit Landovicë u zunë në pritë dhe në betejë me fashistët italianë u kapën.

Duke e ditur se ishin krerë të lartë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, fashistët italianë i torturuan për të nxjerrë informacione në lidhje me anëtarët e tjerë të lëvizjes. Pasi që nuk pranuan të flisnin asgjë, u qëlluan për vdekje. U pushkatuan së bashku më 10 prill 1943, edhe përkundër urdhërit që të ndaheshin u shtrënguan edhe më shumë mes vete duke bërë thirrje për luftë Nacionalçlirimtare.

Komanda e Kryesisë së Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Jugosllavisë më 6 mars 1945, i shpalli heronj kombëtarë të Jugosllavisë. Menjëherë pas kësaj, më 9 shtator, 1945, me dekret të Kryesisë së Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Shqipërisë, me propozimin e Komandantit Suprem të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, Enver Hoxha, Ramiz Sadiku u shpall hero kombëtar i Shqipërisë.

Ndonëse dikur për ta mësohej edhe në shkolla nga nxënësit shqiptarë dhe serbë, konfliktet e mëvonshme mes dy popujve kanë bërë që të harrohet përqafimi i tyre miqësor në prag të vdekjes dhe lufta e përbashkët kundër armikut. /Gazeta InfoPress

Comments