Bota e sportit ngushëllon klubin brazilian Chapecoense pas aksidentit ajror

195
fresco

midle
Bota e sportit ngushëllon klubin brazilian Chapecoense pas aksidentit ajror

 

E gjithë bota e futbollit ishte në zi të martën teksa klubet, futbollistët dhe sportdashësit dërguan ngushëllime për klubin brazilian Chapecoense, pas aksidentit ajror në Kolumbi ku humbën jetën 76 njerëz, duke përfshirë shumë nga futbollistët e tij.
Klubi relativisht i vogël nga Chapeco po shkonte për të luajtur ndeshjen më të madhe të historisë së tij, ndeshjen e parë të finales së Copa Sudamericana, kur avioni u rrëzua në zonat malore pranë qytetit të Medellin.
Një prej mesazheve të parë erdhi prej rivalëve të tyre të mërkurës, Atletico Nacional i Medellin. “Nacional është në zi dhe solidarizohet me @ChapecoenseReal” shkruante klubi vendas pak pas raportimit të tragjedisë. Presidenti i FIFA Infantino komentonte në Twitter: “Në këtë kohë të vështirë mendimet tona janë me viktimat, familjet dhe miqtë e tyre”. Klubet rivale Flamengo dhe Santos në Brazil, si dhe Club Junior e Millionarios në Kolumbi dërguan mesazhet e ngushëllimit dhe inkurajimit.
Arsenal i Londrës shkruante: “Mendojmë për ju, @ChapecoenseReal” ndërsa Barcelona komentoi: “Mbështetja dhe solidariteti ynë është me viktimat dhe familjet e tyre, për tragjedinë e @ChapecoenseReal në Kolumbi.”
Kapiteni i Anglisë Wayne Rooney shkroi: “Lajme të trishta na zgjuan sot, mendimet tona janë me @ChapecoenseReal, familjet dhe miqtë e tyre”.
Futbollistët e Real Madrid mbajtën një minutë heshtje para seancës stërvitore të së martës, dhe lojtarët dërguan ngushëllimet e tyre. Sulmuesi brazilian Neymar dhe portieri Iker Kasillas publikuan foton e klubit në faqen e tyre dhe ofronin fjalë inkurajimi.
Comments