Bota paralele: Kurti premton kthimin e mërgatës, dhjetra mijëra vetë i iken për dy vite

568

Ikja e kosovarëve po vazhdon. Në vitin 2021, sipas Agjencisë së Statistikave, saktësisht 42 mijë persona kanë lënë Kosovën. Apo 117 qytetarë në ditë. Numri i ikjeve të qytetarëve pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme pasi që me 1 janar 2024 kosovarët do të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Por edhe pse trendet janë negative, kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot tha se synon diçka të paimagjinushme, që t’a rikthejë mergatën në vendlindje. A mund të ndodhë një gjë e tillë?

Me anë të një video në Instagram, Kryeministri Kurti, ka thënë se rruga jonë është rrugë për kthimin e mërgatës, shtimin e energjisë dhe ngritjen e arsimit.

Instant / Kurti me video nga xhipi: Jam rrugës për në Gjakovë, e di po shkojë dy herë brenda javës
“Rruga jonë është rrugë për kthimin e mërgatës, shtimin e energjisë dhe ngritjen e arsimit. Kalofshi sa më mirë e u dëshiroj fundjavë të këndshme”, ka shkruar Kurti në mbishkimin e një video që ka publikuar sot në Instagram.

Agjencia e statistikave
Trendi i ikjës së qytetarëve nuk u ndalë as pas fitores së Vetëvendosjes dhe ndryshimeve të mëdha politike që ndodhën në Kosovë.

Sipas Agjencisë së statistikave, numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë, duke përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë.

Pra, duke u bazuar në këtë statistikë, përgjatë vitit 2021, mbi 3500 qytetarë e kanë lëshuar vendin brenda një muaji, apo rreth 117 qytetarë janë larguar çdo ditë nga Kosova.

Në bazë të këtij institucioni, pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legalë për motive të bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi të punës dhe shpërnguljes së përhershme.

Opozita
Një muaj më parë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, mbi 107 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova.

Opozita / Krasniqi i ashpër me Qeverinë Kurti: Afera e Martin Berishajt, më e madhja ndonjëherë
“Mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për një jetë më të mirë, mesatarisht mbi 1000 qytetarë në javë. Gjatë dy viteve të Qeverisë Kurti, 107 mijë e 310 qytetarë ikën nga Kosova, jo si turistë por si mërgimtarë që humbën shpresën në perspektivën që mundet me e ofru shteti ynë. Nga çdo kategori sociale. Vendi ynë po shpopullohet dhe familja jonë po zvogëlohet. Ky migrim i paprecedent tregon se sa të kënaqur janë njerëzit me qeverisjen tane”, u shpreh Krasniqi në seancën e Kuvendit, me 6 prill.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar sot, për videon e Kryeministrit Kurti.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hamiti, ka thënë se kryeministri po flet për kthimin e mërgatës, ndërsa vetëm gjatë qeverisjes së tij kanë ikur 100 mijë qytetarë nga Kosova.

“‘Rruga jonë është rrugë për kthimin e mërgatës’, paska thënë kryeministri Kurti sot në një video. I buzëqeshur, i vetëkënaqur, kryeministri e thoshte këtë ndërsa në dy vitet e fundit, gjatë qeverisjes së tij të ‘shpresës’, mbi 100.000 kosovarë të zhgënjyer e kanë braktisur vendin dhe e kanë rrritur mërgatën që Kurti thotë se do ta kthejë. Ikja e kosovarëve nga vendi “është diçka normale”, thoshte para 10 ditësh zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi. Kjo Qeveri e Kosovës po i përzë qytetarët e Kosovës, po e rrit mërgatën tonë, me synimin për ta kthyer mërgatën! A s’është absurde kjo?”, ka shkruar Hamiti.

Muhamet Hamiti / Hamiti: Kurti flet për kthimin e mërgatës, kurse gjatë qeverisjes së tij kanë ikur 100 mijë kosovarë
Sipas tij, kjo Qeveri po e katandis Kosovën çdo ditë e më keq.“Qeveria e Albin Kurtit po i përbuz qytetarët e Kosovës, po ua mbyt shpresën dhe po ua fyen inteligjencën. Katandisja e Kosovës nuk ndalet pa shkuar kjo Qeveri. Natyrisht, kjo është në dorën e qytetarëve të Kosovës, e atyre që e kanë votuar dhe e atyre që s’e kanë votuar këtë Qeveri demagogësh”, ka shkruar Hamiti.

Në lidhje me ketë deklaratë ka reaguar edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj në një përgjigje për gazetën Nacionale, tha se Kurti e ka zhgënhyer mërgatën.

“Kurti zhgënjeu Mërgatën e cila e bëri Kryeministër Mërgata jonë është vlera dhe bazamenti i shtetit tonë. Kjo mërgata është ajo që ja dha besimin, dhe e sjelli në pushtet si Kryeministër.Por, fatkeqësisht z.Kurti po bënë tre vite në pushtet dhe nuk ka mbajtur asnjë premtim e fjalë për Qeverisje të mirë e Qeverisje të suksesshme siç e dëshiron Diaspora”, tha fillimisht Lekaj.

Comments