Brdariç merr drejtimin e Shkëndijës



Kroati me pasaportë gjermane, Tomas Brdariç pritet të marrë drejtimin e Shkëndijës. Ish reprezentuesi i Gjermanisë, aktualisht ndodhet në Tetovë dhe thuhet se bisedimet me të janë finalizuar dhe se ditëve në vazhdim pritet që të prezantohet nga ana e drejtuesve “kuq e zi”.
Brdariç ka pasur një karrierë të pasur futbollistike duke qenë pjesë e skuadrave të njohura gjermane, si: Shtutgart, Bajer Leverkusen, Hanover, Fortuna Dyzeldorf, Fortuna Këlln dhe Hanover, aty ku edhe e kishte përfunduar karrierën e tij profesionale në vitin 2008.
Megjithatë nëse i referohemi karrierës së tij si trajner, gjermani me origjinë kroate nuk mund të lëvdërohet, pasi deri më tani nuk ka udhëhequr ndonjë skuadër të njohur. Ai karrierën e tij si trajner e nisi në vitin 2009 te skuadra e Union Selingen, që më pas për tre vite rrishtazi (2013-2015) të udhëheq tre skuadra të ndryshme, si: TSG Neustrelitz, VfL Wolfsburg II dhe TSV Steinbach.
Shkëndija në këtë mënyrë sërish vendoset për trajner të huaj, duke mos i dhënë shansin Jeton Beqirit, njeriu i cili me shumë sukses udhëhoqi Shkëndijën në ndeshjet e fundit të pjesës së parë të kampionatit elitarë në vendin tonë, pas shkarkimit të trajnerit Bruno Akrapoviç.