Brukseli nuk ngutet, Han: Partive u duhet kohë për formimin e qeverisë

Eurokomisari, Johanes Han, është optimist se partitë politike do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të formuar qeverinë e re politike, por sipas tij, partive u duhet ende kohë. Brukseli nuk ngutet.
Partitë duhet të tregojnë maturi politike dhe të hartojnë program qeverisës, i cili në themel duhet të ketë Marrëveshjen e Përzhinës, deklaroi komisari Han pas takimeve të ndara me krerët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Republikan.
“Bëhet fjalë për cilësi dhe jo për vendim të shpejtë. Ata duhet të vazhdojnë me negociatat, të demonstrojnë pjekuri politike, të kenë një program të shkëlqyer, të bazuar në Marrëveshjen e Përzhinës dhe të përkushtuar në perspektivat euroatlantike. Në rast se kjo arrihet, unë jam i bindur në ardhmërinë e këtij vendi”,- deklaroi komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Han.
Sipas Hanit, kriza mund të marrë ende kohë, por partitë duhet të marrin vendime në interes të shtetit, qytetarëve dhe në interes të perspektivës europiane të shtetit.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Shkup, eurokomisari Han u takua edhe me presidentin e Republikës, Gjorge Ivanov.
“Në takim u potencua nevoja për formimin e shpejtë të Qeverisë së RM-së, pasi vetëm me funksionimin e plotë të institucioneve shteti do të jetë i gatshëm që të përballet me gjitha sfidat”,- thuhet në kumtesën e presidencës.
Han ka porositur presidentin se qeveria e re do të duhet të ndjek perspektivën europiane dhe të fokusohet në të ardhme europiane të vendit.