Para ka, megjithëse përqendrimi i tyre është vetëm në disa duar të minorancës dhe aktori i mirënjohur, Bujar Asqeriu, ka propozuar dy mënyra se si mund të dalin para, madje jo vetëm për një teatër por për disa të tillë.
Jemi mësuar tashmë me retorikën e pushtetit që për çdo iniciativë i dorëzohet kompanive private, me pretekstin që shteti nuk ka buxhet të mjaftueshëm.
I tillë ishte edhe “shfajësimi” për godinën e re të Teatrit Kombëtar, i cili do ndërtohet nga privatët dhe po ashtu do menaxhohet prej tyre, ku Rama tha se qeveria nuk kishte mundësi financiare për ta ndërtuar vetë teatrin.
Në një tubim protestues para TK, Bujar Asqeriu u shpreh:
Unë propozoj amnisti për të gjithë politikanët shqiptarë.
Le të shkojnë te thesari i shtetit dhe të kthejnë të gjithë pasurinë që kanë vjedhur.
T’i kthejnë ato që kanë marrë dhe do e shikoni se ka mjaftueshëm për të ndërtuar teatrin dhe shumë teatro të tjerë. Të ngrihen në lartësinë e rilindësve shqiptarë që shkrinë pasurinë e tyre për ndërtimin e Shqipërisë. Një tjetër mënyrë është financimi nga diaspora. Mjaftojnë 5 euro nga çdo shqiptarë që jeton jashtë për të ndërtuar teatrin e ri.”
Po ashtu aktorët ditën e djeshme kanë prezantuar projektin e ri për Teatrin Kombëtar, i cili ka si objektiv ruajtjen e godinës ekzistuese, ndryshe nga projekti i arkitektit danez që prezantoi Rama.