Bujar Osmani: Oferta misterioze në skenën politike shqiptare


Identiteti i etnisë shqiptare po rrezikohet nga ambicja për pushtet e individëve të cilët pakënaqësitë e tyre po i faktorizojnë në platforma ose maqedone, ose fetare dhe në këtë mënyrë po e fragmentojnë peshën elektorale të shqiptarëve
Bujar Osmani
Këto zgjedhje do të nxjerin në sipërfaqe një realitet tepër të deformuar, jo vetëm politik, por edhe etnopsikologjik. Prirja për të bajraktarizuar skenën politike me parti në çdo qytet e iniciativa që kanë si synim afirmimin e liderëve lokalë, është një prirje e rrezikshme për defaktorizimin e shqiptarëve.
Futja e interesave kombëtare të shqiptarëve në axhenda të huaja, është shërbimi më i madh ndaj atyre qendrave të cilat me shekuj kanë synuar mbajtjen e shqiptarëve nën diktatin e politikave të huaja asimiluese e shpërfytyruese.
Identiteti i etnisë shqiptare po rrezikohet nga ambicja për pushtet e individëve të cilët pakënaqësitë e tyre po i faktorizojnë në platforma ose maqedone, ose fetare dhe në këtë mënyrë po e fragmentojnë peshën elektorale të shqiptarëve. Përderisa Kosova dhe Shqipëria arriti të sfidojë këto tundime të huaja, shqiptarët në Maqedoni aktualisht, në prag të këtyre zgjedhjeve, po iu ekspozohen një agresioni të egër parapoltik e paracivilizues.
A do të vazhdojmë të mbindërtojmë mbi ato që është arritur me mund e gjak dhe të rrumbullakojmë një mision të nisur me shumë sakrifica, e të ndërtuar në betejë pas beteje, apo do të lejojmë që këto koncepte ogurzeza të na e rrezikojnë trungun tonë etnik shqiptar.
Me sinqertitetin më të madh ju ftoj të bëheni pjesë e misonit tonë për të emancipuar jo vetëm skenën politike por edhe jetën tonë përgjithësisht. Shqiptarët sot nuk janë “mall pa zot” me të cilët mundet secili të bëjë ekspermenentet dhe shartimet e veta kulturologjike. Shqiptarët sot i kanë adresat e tyre të përfaqësimit legjitim dhe është iluzore të këmbehen këto adresa me oferta misterioze.