Bullgaria drejt zgjedhjeve të parakohshme
Partia e dytë më e madhe politike në parlamentin e Bullgarisë, PP-DB reformiste, refuzoi sot kërkesën e presidentit të vendit për të provuar të formojë një qeveri të re, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në vend, i cili është anëtari më i varfër i Bashkimit Evropian.
Qeveria e koalicionit e kryeministrit Rosen Zhelezkov, e mbështetur nga partia e qendrës së djathtë GERB-SDS, dha dorëheqjen muajin e kaluar pas disa javësh protestash kundër korrupsionit shtetëror dhe një buxheti të ri që do të kishte rritur disa taksa.
Siç përcaktohet nga kushtetuta bullgare, presidenti bullgar Rumen Radev zyrtarisht i kërkoi të hënën partisë konservatore GERB-SDS të formonte një qeveri, gjë që partia e hodhi poshtë. Sot, PP-DB, e cila kërkon lidhje më të ngushta me Bashkimin Evropian, gjithashtu e hodhi poshtë mandatin, raportoi agjencia bullgare e lajmeve BTA.
Tani pritet që Radev t’i ofrojë një partie tjetër mundësinë për të qeverisur dhe më pas, nëse edhe ajo refuzon, ai do të duhet të shpallë zgjedhje, të tetat në Bullgari në vetëm katër vjet.
Pavarësisht kësaj pasigurie, Bullgaria iu bashkua euros më 1 janar, siç ishte planifikuar. Por, Reuters thekson se ajo ka nevojë për stabilitet politik për të marrë më shpejt fondet e BE-së për infrastrukturën e saj, për të inkurajuar investimet e huaja dhe për të eliminuar korrupsionin endemik shtetëror.
Koalicioni GERB-SDS fitoi zgjedhjet e fundit në tetor 2024, por mori pushtetin vetëm në janar 2025, pas muajsh bisedimesh, ndërsa kishte nevojë për mbështetjen e partive të tjera në parlament.

