Bulliqi: Mos e futni vendin në telashe

80

Moebel THEMA

Bulliqi: Mos e futni vendin në telashe

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe iniciuesi i debatit profesional-shkencor të 3 gushtit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Shpejtim Bulliqi, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës e ka ndërmarrë një hap të ngutshëm kur e ka proceduar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

Bulliqi në këtë intervistë për gazetën “Epoka e re” ka deklaruar se demarkacioni do ta futë vendin në telashe dhe destabilitet politik. “Nuk është mirë të ngutemi dhe ta futim vendin në telashe. Duhet të mendojmë që mos ta destabilizojmë situatën politike në vend pa një arsye të madhe. Besoj se Qeveria e Malit të Zi e ka mirëkuptimin dhe duhet të gjendet një konsensus për t’u ulur dhe biseduar edhe një herë. Mendoj se Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të ngutej. Nuk ka nevojë askush ta destabilizojë vendin, sepse duhet ulur me Qeverinë e Malit të Zi dhe duhet dialoguar për ta gjetur përfundimin e mirë për të dyja shtetet dhe kështu të zgjidhet ky problem”, ka deklaruar Bulliqi.

Ai ka apeluar te Qeveria e Kosovës që të rishikohet kjo marrëveshje dhe ka shprehur optimizëm se për rishikimin e saj do të haset në mirëkuptim nga ana e Qeverisë së Malit të Zi. “Ne prapë mendojmë dhe jemi të bindur se në krejt këto fakte, të cilat i kemi ofruar e që asnjëra prej tyre nuk janë tonat, por janë të institucioneve kredibile, të cilave ne iu kemi referuar, e tregojnë më së mirë gjendjen reale. Kështu që, bazuar në të gjitha këto që thashë, mendojmë se territori i Kosovës e humbet një sipërfaqe të madhe. Prandaj, është mirë të kërkohet mirëkuptim nga Qeveria e Malit të Zi dhe të ulemi edhe një herë që ta diskutojmë më mirë këtë çështje dhe t’i eliminojmë njëherë e përgjithmonë lëshimet të cilat janë bërë në pikat që janë diskutabile. Pra, njëherë duhet të rregullohet kjo çështje e më pas duhet të vijë në Kuvendin e Kosovës dhe të procedohet”, është shprehur Bulliqi. Ai ka thënë se edhe demarkimi i Kosovës me Serbinë do të jetë problematik.

“Edhe demarkimi i Kosovës me Serbinë do të jetë problematik në mungesë të dokumenteve kadastrale të vendit tonë, të cilat gjenden në Serbi”, ka theksuar ai.

Comments