Burime diplomatike: Ndërtimi i murit në Mitrovicë, rrezikon të shkaktojë luftë në Kosovë e rajon?!

126
fresco

midle

Punët në murin andej urës së Ibrit apo në veri të Mitrovicës janë ndalur përkohësisht deri në një vendim tjetër që pritet nga përfaqësues të BE-së në Kosovë. Bisedat për shtensionimin e situatës në qytet u bë me dije se nisën pas fillimit të ndërtimit të një muri në pjesën veriore të qytetit, pikërisht në kohën kur po afrohej përfundimi i procesit të revitalizimit të urës mbi lumin Ibër, sipas një marrëveshjeje të arritur ndërmjet palëve. “Atë që mund ta them është se ne jemi në kontakt me të gjithë faktorët relevantë dhe ne po provojmë që të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme”, kanë thënë nga Zyra e BE-së në Prishtinë, në një deklaratë për REL.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se Qeveria e tij do ta trajtojë murin që po ngritet nga autoritetet lokale serbe në veri të Mitrovicës sipas ligjeve në fuqi. “Çështja e murit do të trajtohet sipas ligjit nga organet kompetente, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapsinor, si dhe komuna e cila është e detyruar ta zbatojë ligjin. Po ashtu edhe nga Bashkimi Evropian, i cili ka projektin komplet për rikonstruktimin e urës”, ka deklaruar Mustafa. Në çdo rast, Mustafa ka thënë se nuk do të ndërmerren hapa të ngutshëm, por gjithçka do të trajtohet sipas akteve ligjore.  Por burime diplomatike kanë thënë se ndërtimi i murit të Mitrovicës, rrezikon të shkakojë luftë në Kosovë dhe rajon, gjë që është një akt provokues dhe destabilizues për popullatën e atjeshme.

“Ne nuk do ta qesim gjoksin dhe nuk do t’i tregojmë muskujt, sepse muskujt dhe gjoksin e qet ligji dhe ne duhet ta respektojmë ligjin”, ka thënë tutje kryeministri Mustafa. Ministria e Mjedisit, ka nënvizuar ai, përmes inspektoratit, po e trajton gjendjen, e po ashtu edhe ministrja Edita Tahiri po e vërteton se a është ky mur në harmoni me projektin e BE-së atje.

Ndërkohë, kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se “muri mbajtës”, që është ndërtuar, është pjesë e projektit të revitalizimit të urës dhe zonës për këmbësorë. Rakiq ka thënë se muri me siguri do të mbetet ashtu si është, me mundësi të korrigjimit. Për këtë çështje, ai ka deklaruar se ka kontakte dhe se do të bisedojë edhe me përfaqësuesit e BE-së.

Madje, edhe autoritetet nga Shqipëria thonë se po ndjekin me shqetesim aktin e ngritjes se nje muri ndarës sipas një linje të pretenduar etnike mes shqiptarëve dhe serbëve në veri të Mitrovicës. “Konsiderojmë se ndërtimi i një strukture të tillë është një akt provokues dhe destabilizues për popullatën e Mitrovicës, marrëdhëniet dhe dialogun mes Serbisë dhe Kosovës sikundër edhe ndaj klimës së paqes dhe stabilitetit në Ballkan. Një akt i tillë shkon në të kundërt të aspiratave të shprehura të vendeve të rajonit dhe përfaqësuesve të tyre për një klimë bashkëpunimi në perspektivën e integrimit europian të Ballkanit”, kanë qenë reagimi nga kreu i PD-së Lulzim Basha.

Kurse, kryetari i Komunës nga Mitrovica Jugore, Agim Bahtiri, tha për REL se muri – i cili është ndërtuar në veri, pran lumit Ibër – nuk është i paraparë me plan që të ndërtohet. Ai tha po ashtu që janë duke u bërë përpjekje që puna pë revitalizimin e urës të mos ndalet, por jo në mënyrën se si është duke u punuar aktualisht. “Ai (muri) është ilegal për mua dhe jemi duke punuar në mënyrë institucionale që të bëjmë gjithçka në të mirë të asaj që të jetë mirë për të gjithë qytetarët. Po punojmë ngushtë edhe me BE-në, edhe me faktorë tjerë politik ndërkombëtar e vendor, pra Qeverinë e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të mos ndalet puna, por jo të vazhdohet në atë formë”, ka thënë Bahtiri.

Ndryshe, muri në veri të qytetit të Mitrovicës po ndërtohet në kohën kur tensionet ndërmjet grupeve etnike në qytet u zvogëluan dhe u vlerësua se po niste një periudhë e relaksimit të marrëdhënieve, përfshirë edhe procesin e revitalizimit të urës së Mitrovicës. Ky proces u parapa me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të arritur më 25 gusht 2015, në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Comments