Shkup, 3 shtator – Shkrimtari dhe gazetari nga Kosova, Jusuf Buxhovi, në një bisedë ekskluzive me gazetarin e Agjencisë së Lajmeve Zhurnal, Destan Jonuzi, ka folur për aktualitetin politik në rajon, idenë për shkëmbim teritoresh midis Kosovës dhe Serbisë dhe pasojat që mund të vijë nga një veprim i till në Ballkan si dhe për Referendumin e 30 shtatorit që do të mbahet në Maqedoni.
Zhurnal.mk: Cili është mendimi juaj për idenë e shkëmbimit të territoreve, që së voni u hap nga presidenti i Kosovës Thaçi dhe ai i Serbisë në kuadër të arritjes së një marrëveshjeje paqësore midis dy vendeve? A rrezikohet i gjithë Ballkani?
J. Buxhovi: Presidenti i Kosovës, Thaçi dhe ai i Serbisë Vuçiq, hapën temën e shkëmbimeve të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë në mënyrë provokative, ndonëse e gjitha e arsyetuar si thuhet, “si përpjekje për normalizimin e raporteve midis dy popujve”, në vend se të kishte për pikënisje raportet midis dy shteteve. Në të vërtetë këtu dhe të ky pozicion fillojnë dilemat, shqetësimet, por edhe refuzimet, që vinë me të drejtë nga Kosova, ngaqë i përngjajnë pazareve të pautorizuar, në të cilat është përfshirë presidentin e Kosovës kryenvete dhe pa mandat kushtetues, në vend se të shfaqeshin marrëveshjeve të barabarta shtetërore, që për pozicion do të kishin njohjen e ndërsjellë të shtetit të Kosovës nga Serbia dhe të Serbisë nga Kosova.
Ky pozicionim, pra njohja e ndërsjellë shtetërore, gjithsesi se lejon ndonjë korrigjim, por assesi shkëmbim territoresh,ngaqë ato nënkuptojnë zhvendosje të dhunshme të popullatës, praktikë kjo e tejkaluar e logjikës së shteteve etnike, e përcjellë me luftëra dhe tragjedi, që po të lejohej, rrezikon gjithë Ballkanin. Andaj, jo rastësisht, Bashkimi Evropian, nga Lufta e Dytë botërore e këndej, në vend të shkëmbimit të territoreve ose të korrigjimit të tyre ku ka probleme të pazgjidhura etnike, ka proklamuar logjikën e kritereve demokratike për zgjidhjen e tyre. Jo rastësisht, Bashkimi Europian, prej vitesh po punon që kufijtë shtetëror të zëvendësohen ose dhe të hiqen fare me integrime të përbashkëta evropiane, ndërkohë që tash Thaçi dhe Beogradi kërkojnë “shtete etnike”, paçka dihet se aty, për njëmijë e një arsye, fitues dalin serbët dhe jo shqiptarët.
Logjika e kritereve demokratike duhet të jetë pikënisje e normalizimit të raporteve me Serbinë dhe assesi korrigjimi, shkëmbimi i territoreve, siç po flet presidenti Thaçi dhe ai i Serbisë. Institucionet shtetërore të Kosovës dhe faktorët politik duhet që presidentin Thaçi ta frenojnë nga aventura e shkëmbimit të territoreve, ngaqë ajo është e dëmshme, por edhe e rrezikshme në të njëjtën kohë. Sepse, në njërën anë vë në lojë sovranitetin shtetëror të Kosovës, e cila privohet nga resurset e veta strategjike jetësore (uji i liqenit të Gazivodës, pasuritë e Treçës e të tjera në veri) dhe në tjetrën anë krijon mundësi reale që Serbia, e me këtë edhe Rusia, të faktorizohen në rajon, gjë që shkon në dëm të interesave gjeostrategjike të shqiptarëve por edhe të Perëndimit në përgjithësi.
Zhurnal.mk: A është në nivel të detyrës politika shqiptare për sa i përket euro-integrimeve te Maqedonisë?
J. Buxhovi: Hë për hë nuk mund të flitet për një politikë të përbashkët shqiptare në rajon edhe përkundër faktit se kemi dy shtete shqiptare (Shqipërinë dhe Kosovën), ngaqë ato janë të ngarkuara me problem të shumta të brendshme (korrupsioni, krimi i organizuar e të tjera), gjë që ato shfaqen si të margjinalizura në raport me politikat evropiane. Pra, këto dy shtete, me shumë e shumë telashe, nuk mund të jenë të dobishme as për problemet e shqiptarëve në Maqedoni si dhe përpjekjet e tyre që të fitojnë statusin e popullit shtetformues, me çka Maqedonia do të kursehej nga krizat kronike, siç ishte ajo e vitit 2001 kur u ballafaqua me kryengritjen e shqiptarëve dhe u desh ndërhyrja e NATO-s dhe e SHBA-ve që ta shpëtojnë nga shpërbërja.
Por, paaftësia e faktorit shqiptar (atij shtetëror në Tiranë dhe Prishtinë) që të konsolidohet nga brenda, e me këtë edhe pamundësia që të merret edhe me çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, nuk i jep alibi klasës politike shqiptare në Maqedoni të punojë dhe veprojë për interesat e shqiptarëve në Maqedoni për ta fituar statusin e popullit shtetformues, në përputhje me referendumin për autonomi të vitit 1992. Gjatë këtyre njëzet viteve të fundit, klasa politike shqiptare në Maqedoni, nuk ka shfrytëzuar mundësitë që Maqedonia të organizohet si shtet ku ata do të trajtohen në mënyrë të barabartë. Në vend të kësaj, politikanët shqiptarë, ata të “paraluftës” dhe “të pasluftës” (krejt një), kanë shikuar interesat e tyre personale, duke u vu kështu në shërbim të klasës politike maqedonase, përkundër asaj se ka ndjekur politikë nacionaliste në raport me shqiptarët dhe interesat e tyre.
Në këtë rrethana, as të ashtuquajturat integrime evropiane, për të cilat flitet si shumë, nuk duhet pritur me ndonjë shpresë, ngaqë klasa politike shqiptare në Maqedoni, nën petkun mashtrimtar të Marrëveshjeve të Ohrit, është pajtuar me statusin “e qytetarisë” dhe jo atë të barazisë si etnie shtetetformuese, gjë që le për të kuptuar se edhe në “çatinë e mundshme europiane” shqiptarët e Maqedonisë do të kenë tretmanin e pakicës.