Marcos Evangelista de Moraes, i njohur ndryshe si Cafu, ka luajtur me AC Milan nga viti 2003 deri në vitin 2008 dhe fitoi gjithçka të mundshme me ekipin kuqezi. Në këtë intervistë, të dhënë për “Four Four Two”, ish-mbrojtësi kuqezi dhe i Brazilit ka dhënë disa detaje interesante, mes të cilave festën në pushim të finales së humbur kundër Liverpool, pavarësisht se pjesa e parë u mbyll 3-0 për Milan. Cafu flet për “dramën” e Stambollit në vitin 2005.
– Në “San Siro” zgjatët edhe karrierën…
– Prisja të luaja disa vite në nivele të larta, por nuk e kisha imagjinuar se për pesë sezone do të kisha qenë titullar i Milan. Që kur erdha thanë se do të luaja vetëm 10 ndeshje në vit te një ekip që sapo kishte fituar Champions League. Por që gjatë fazës përgatitore ishte “raketë”. Nuk kisha shkuar te Milan për të bërë shëtitje, sepse nëse do të doja të ulja ritmin e punës do të kisha shkuar në Japoni. Në tre vite e gjysmë radhazi që punova me Ancelotti, po të kisha kërkuar pushim përgjigja do të ishte: “Joooo, Marcooooo”.
– Thuhet se futbollistët e Milan festuan në pushimin e pjesës së parë të finales kundër Liverpool në Champions League, kur po kryesonin 3-0…
– Po është e vërtetë. Kishim luajtur një pjesë të parë perfekte dhe kishim shënuar tre gola ndaj Liverpool, që ka qenë kundërshtari më i përgatitur taktikisht me të cilin jam përballur në karrierën time. Mendonim se ishte dita jonë dhe u relaksuam. Kur ata shënuan dy gola, e pësuam goditje. Kur e pashë topin në rrjetë për herë të tretë nuk po i besoja syve. Nuk ishte vetëm faji jonë, sepse faktikisht edhe Liverpool e meritoi përmbysjen. Unë i admiroj sepse kurrë një ekip nuk mund të ngrihej në këmbë si ata. Shija e humbjes u ndje para penalltive, u ndje kur Dudek bëri një pritje vendimtare ndaj Shevës, në kohën shtesë.
– Atëherë, sa e rëndësishme ishte hakmarrje kundër tyre në finalen e vitit 2007 në Athinë?
– Nuk luajtëm duke menduar për hakmarrjes, aspak. Milan ishte një ekip me shumë përvojë. Unë isha 36 vjeç, Maldini ishte 38 vjeç, Costasurta 41 vjeç dhe Serginho 35 vjeç. E dinim që ishte mundësia e fundit në jetën tonë për të fituar atë trofe, por ishim shumë të qetë. Jo shumë ekipe mund të luajnë me qetësinë që pati Milan i ynë në finalen e 2007-s. Në momentin që Inzaghi shënoi golin e parë e kuptuam se do ta fitonim ndeshjen. Dy vjet më parë, ai gol nuk do të kishte hyrë kurrë.