“Çdo ditë i lutem Zotit që të më lërë jetën t`i bëj fëmijët qytetarë të zotë dhe të denjë!”

268
fresco

Letra-ndihmë për të shpëtuar jetën e saj dhe të fëmijëve drejt ambasadorit Donald Lu. Parandjenja e saj se ajo mund ta lante me kokë, ashtu edhe siç ndodhi, divorcin me bashkëshortin. Frika e saj nga lirimi i dhunuesit dhe frika për gjithë sistemin e drejtësisë
Nga Nikoleta Kovaçi

Është një letër e vënë në dispozicion të mediave ditën e djeshme ku mësohet se gjyqtarja e Shkodrës kishte vënë në dijeni për rrezikun serioz që i kanosej jetës së saj dhe të fëmijëve të saj, para se sa bashkëshorti i saj të linte ambientet e burgut. Letra mësohet se ka mbërritur në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndërsa gruaja, një emër i njohur i gjyqësorit kishte kërkuar ndihmë jo vetëm për veten e vet dhe fëmijët e saj por edhe për të gjithë sistemin e drejtësisë, sistem që sipas saj kishin kaluar 9 muaj pa u bërë një seancë gjyqësore në ngarkim të ngjarjes së rëndë që i kishte ndodhur gruas në plazhin e Golemit, në sytë e djalit dhe të nënës së saj. Më poshtë sjellim të plotë përmbajtjen e letrës, ku gjyqtarja-magjistrate i kërkonte ambasadorit Donald Lu të ndërhynte që t`i shpëtonte jetën asaj, fëmijëve të saj dhe të shpëtonte gjithë sistemin. Megjithatë në letër gjyqtarja, nënë e dy fëmijëve paralajmëronte ambasadorin për jetën e saj që ndoshta edhe mund t`i merrej!
Letra
“Unë quhem Fildeze Hafizi, dhe jam një nëna e dy fëmijëve, aktualisht gjyqtare-magjistrate në fazën e stazhit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Po ju shkruaj për të ndarë me ju një shqetësim që nuk lidhet vetëm me mua por me shumë femra shqiptare, viktima të dhunës në familje e më pas viktima të sistemit të drejtësisë.
Vitin e kaluar unë kam kaluar një proces divorci shumë, pothuaj, tragjik. Gjatë këtij viti procesi ish-bashkëshorti im u përpoq të më mbante të martuar jashtë vullnetit tim, duke më kërcënuar me armë. Por unë për të mirën e fëmijëve të mi vendosa t`i shkoj deri në fund duke marrë përsipër edhe humbjen e jetës. Theksoj se kam qenë me urdhër mbrojtjeje deri në momentin e procesit të divorcit. Tre muaj pas marrjes së vendimit për zgjidhjen e martesës, pa pasur asnjë lloj kontakti as drejtpërdrejt e as përmes të tjerëve ish-bashkëshorti në datën 19 korrik 2015, në prani të djalit tonë, në një ambient publik ka ardhur përsëri me armë, sigurisht me qëllimin për të më eliminuar fizikisht. Për rastin në fjalë u hapën hetimet nga Prokuroria dhe ai u akuzua vetëm për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje. Shqetësimi im i vërtet filloj kur unë e kuptova që edhe pse tashmë jam pjesë e sistemit të drejtësisë, akoma edhe sot që po iu shkruaj nuk është bërë asnjë seancë gjyqësore në mënyrë që të jepet drejtësi. Për një vepër të kryer në kushtet e flagrancës ka nëntë muaj që nuk bëhet dot asnjë seancë gjyqësore. Unë e përjetoj profesionin tim si një mision të shenjtë të cilin fati dhe Zoti ma besuan mua në shërbim të njerëzve që i drejtohen gjykatës me besim dhe shpresë se do gjejnë drejtësi. Kur ëndërroja dhe luftoja me forcat e mia që një ditë të bëhem pjesë e sistemit të drejtësisë gjithmonë kam aspiruar që t`i shërbej me dinjitet dhe pavarësi e paanësi të plotë njerëzve. Mua më trondit dhe më bën të ndjehem keq fakti që edhe pse jam një viktimë e mendësisë mesjetare edhe pse jam një grua që si dhjetëra gra të tjera luftojnë të mbijetojnë me nder e me dinjitet në shoqërinë postmoderne, edhe pse përpiqem që fëmijët e mi ti rrit me ndjenjën e ndershmërisë, drejtësisë dhe virtytit, është pikërisht sistemi ku unë kam ëndërruar gjithmonë të bëj pjesë që më riviktimizon çdo ditë. Fakti që asgjë nuk ka ndryshuar që nga data 19 korrik 2015 më bën të mendoj që jeta ime dhe e fëmijëve të mi nuk është aspak e sigurt. Ky fakt nuk më lë të vazhdoj e qetë misionin tim si nënë e si gjyqtare. Çdo ditë jetoj me frikën se ai do të dalë sepse mund t`i shuhet masa e sigurimit dhe mund të realizojë qëllimin e tij të përfundojë veprimin që nisi sepse sistemi i drejtësisë po i jep një leksion; “bëj çfarë të duash se nuk ka ndëshkim”. Çdo ditë i lutem Zotit që të më lërë jetën t`i bëj fëmijët qytetarë të zotë dhe të denjë! Z. Ambasador, nuk do dëshiroja kurrë që t`ju humbas kohën tuaj të çmuar nëse nuk do të ndjehem e pasigurt për jetën time dhe e pambrojtur nga shteti im.Ju lutem besoni se të gjithë anëtarët e ndershëm të drejtësisë shqiptare ju janë mirënjohës dhe lutemi që ju të vazhdoni përpjekjet tuaja për reformën aq shumë të dëshiruar në drejtësi. Ju drejtohem Ju, i nderuar z. Ambasador sepse nuk kam më se kujt t`i drejtohem. Ju siguroj që shqetësimin tim e kam ndarë me krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, sigurisht duke u kujdesur gjithmonë që të mos influencoj në dhënien e drejtësisë por mesa duket veshët janë të shurdhër. Për të ndarë këtë shqetësimin tim do tu iu isha mirënjohëse nëse do më kushtonit disa minuta nga koha juaj!
Me respekt dhe besim
Fildeze Hafizi!”

Vendimi i dënimit
Në vendimin e Gjykatës së Kavajës që është dhënë rreth 16 muaj më parë Fadil Kasëmi rezulton i dënuar me 3 vite burg për kërcënimin dhe dhunimin e Fildeze Hafizit (Kasëmi). Fadil Kasëmi u dënua nga gjykata më datë 28 prill 2016, për tentativën e parë të vrasjes së ish-bashkëshortes, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2015 në plazhin e Golemit. Dy vite më parë ai tentoi me pistoletë të vriste në sy të fëmijëve ish-gruan e tij por dënimi u dha vetëm për akuzën e dhunës në familje. Por më pas 53-vjeçari u la i lirë pasi përfitoi edhe nga amnistia e festave të fundvitit. Burimet nga ministria e drejtësisë bëjnë me dije se ai ka përfituar nga amnistia, duke i shpëtuar kështu vuajtjes së dënimit. Në dëshminë e dhënë para policisë, Kasëmi tha se e kreu krimin pasi ish-bashkëshortja nuk e linte të takohej me fëmijët, madje as kur ishte në burg nuk ia kishte lënë asnjëherë të shkonin e ta shihnin atje!

Dosja

Si e provoi prokuroria se Kasëmi e kishte gënjyer policinë në vendin e krimit

Referuar dosjes së dy viteve më parë, kohë kur në fakt gjyqtarja Hafizi ishte e ndarë përfundimisht nga bashkëshorti i saj me vendim gjykate, shikohet se si burri ka arritur të gënjejë policinë në vendin e ngjarjes duke u hequr sikur kishte qenë nën efektet e rënduara të alkoolit dhe se nuk e dinte se kujt ia kishte marrë çantën brenda së cilës gjendet arma. Bazuar në hartimin e dosjes së plotë u mësuar edhe vendimi i gjykatës, i kryesuar nga Luan Shehu ku i jepte një dënim prej 3.6 vitesh burg për dy akuza të arrestuarit për dhunë në familje dhe armë mbajtje pa leje, dënim që Kasëmi i dha fund në mesin e janarit të këtij viti duke përfituar nga amnistia dhe duke nisur menjëherë pas daljes të kërcënojë me jetën gruan që kishte kërkuar ndihmë të gjithë krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë.
Hetimi
“Shtetasi Fadil Kasëmi ka pretenduar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe nuk i perceptonte drejt gjërat, por ka thëne se arma dhe çanta nuk janë të tijat, por në lidhje me çantën ka pretenduar se ajo i përkiste një personi që nuk e njihte e që e kishte provokuar duke iu ulur në tavolinë, si dhe që i kishte marrë çelësat e veturës dhe i kishte futur në çantë. Vetura tip “BMË”, çelësat e të cilës u gjetën e u sekuestruan në çantën ku ishte pistoleta i përket shtetasit Fadil Kasëmi, i cili e kishte blerë pa bërë dokumentet përkatëse, pasi e kishte në provë për disa ditë. Nga këqyrja trupore e shtetases Fildeze Hafizi konstatohet në fytyrë shenjë dhune fizike në të. Kjo shtetase është pajisur me vendim për ekspertim mjeko-ligjor, ekspertim i cili nuk është kryer ende. Arma e sekuestruar është dërguar për ekspertim dektikloskopik vlerësuese dhe teknik-balistike.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Komisariatit të Policisë, Kavajë, fillimisht kanë shoqëruar shtetasin Fadil Kasëmi për në Komisariat e më pas, ndaj tij u vendos masa e arrestit në flagrancë. Në kontrollin e veturës nuk rezultoi të gjendej apo sekuestrohej ndonjë send i kundërligjshëm. Faktet e mësipërme përmbajnë elemente të veprës penale të prodhimit e mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe të dhunës në familje, të parashikuat nga neni 278/4 dhe 130/a/4 i K. Penal. Shërbimet e policisë gjyqësore të policisë në përputhje të plotë me nenin 252 të K.Pr.Penale vendosen masën e “arrestimit ne flagrance ” ndaj shtetasit Fadil Kasëmi, pasi ai është kapur me sende të kundraligjshme që përbëjnë objektin e veprës penale të parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal si dhe është në ndjekje nga personi i dëmtuar për veprën penale të parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal. Këto shërbime të policisë gjyqësore duke respektuar kërkesat e nenit 251 të K.Pr.Penale , kanë vendosur masën e “arrestimit ne flagrancë” ndaj shtetasit Fadil Kasëmi. Vetë i arrestuari Fadil Kasëmi nuk ka paraqitur asnjë pretendim lidhur me veprimet e policisë gjatë arrestimit te tij”.

Comments