“Çdo gjë më pak se kontrolli amerikan mbi Groenlandën është “e papranueshme”, Trump flet pak orë para takimit të Rubios me udhëheqësit e dy vendeve: NATO e di që…
Presidenti amerikan Donald Trump ka përforcuar retorikën e tij për marrjen e kontrollit të Groenlandës, duke këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara “kanë nevojë për Groenlandën për qëllime të sigurisë kombëtare”.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump pretendoi se “NATO duhet të udhëheqë përpjekjen që ne ta marrim atë” dhe se “nëse ne nuk e bëjmë, Rusia ose Kina do ta bëjnë, dhe kjo nuk do të ndodhë!”.
“Ushtarakisht, pa fuqinë e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara, pjesën më të madhe të së cilës e ndërtova gjatë mandatit tim të parë dhe që tani po e çoj në një nivel të ri dhe edhe më të lartë, NATO nuk do të ishte një forcë apo faktor parandalues efektiv – as për së afërmi! Ata e dinë këtë, dhe edhe unë e di”, tha ai.
“NATO bëhet shumë më e fuqishme dhe më efektive me Groenlandën në duart e Shteteve të Bashkuara. Çdo gjë më pak se kjo është e papranueshme”, u shpreh Trump.
Komentet e tij pritet të irritojnë udhëheqësit danezë dhe ata të Groenlandës, vetëm disa orë përpara bisedimeve vendimtare që ata do të zhvillojnë në Shtëpinë e Bardhë me zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

