Cerar: integrimi juaj në BE, siguri për investuesit. Zaev: kemi potencial për rritje ekonomike; Bashkëpunimi Maqedoni – Slloveni, odat ekonomike shqyrtojnë mundësitë e reja

521

Maqedonia dhe Sllovenia kanë bashkëpunim të mirë në të gjitha sferat, veçanërisht në atë ekonomike….

Gjithsesi, kryeministrat e të dy vendeve, Zoran Zaev dhe Miro Cerar, u dakorduan se ka potencial që ky bashkëpunim të rritet. Cerar potencoi se integrimi i vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian do të krijojë gjendje stabile për investitorët.

“Më gëzon fakti që Maqedonia i është përkushtuar mirë rrugës drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe se pas zgjidhjes së kontestit të emrit, Maqedonia do të ketë rrugëtim stabil drejt integrimit, si dhe do të sigurojë gjendje stabile të ekonomisë”,- deklaroi kryeministri i Sllovenisë, Miro Cerar.

Kryeministri Zaev iu bëri thirrje kompanive sllovene që t’i shfrytëzojnë tenderët që tashmë janë ndarë për infrastrukturë dhe energjetikë. Zaev gjithashtu tha se Maqedonia ka potencial për rritje edhe më të lartë se ajo që është paraparë të realizohet për këtë vit.

“Ne kemi vendosur target që këtë vit të realizojmë rritje prej 3.2 për qind, por mund të jetë dhe 4 për qind. Kjo mund të realizohet vetëm nëse ne jemi të disponuar, kemi rrethana të mira dhe jemi të koncentruar të realizojmë profit dhe ekonomi të mirë”,- u shpreh kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Edhe odat ekonomike të të dy vendeve e vlerësuan të mirë bashkëpunimin aktual dhe shohin mundësi për rritjen e tij.

“Shkëmbimi ynë tregtar është stabil, shkon drejt rritjes dhe i afrohet shifrës prej 300 milion euro në vit”,- tha kryetarja e Odës Ekonomike në Slloveni, Sonja Shmuc.

“Në periudhën e ardhshme do të krijohen hapësira të reja për investime dhe logjistikë me qëllim që kompanitë të kenë mundësi ta zgjerojnë veprimtarin e tyre ekonomike, por dhe të krijohen hapësira për investime në sfera tjera, si në sferën e ekologjisë , turizmit dhe industrisë ushqimore”,- theksoi kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë, Branko Azeski.

Sllovenia është vendi i pestë me më shumë investime në Maqedoni dhe se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve deri në vitin 2020 mund të arrijë në gjysmë miliardë dollarë.

GAZMEND REXHEPI

Comments