Trupi i senatorit të ndjerë John McCain është vendosur në sallën rrethore të Capitol në Washington për homazhe, pas ceremonive të zhvilluara të enjten për nder të tij në shtetin e Arizonës, të cilin e ka përfaqësuar në Kongres që prej viteve 1980.
McCain u bë i 31-ti person të cilit i rezervohet një nderim i tillë. Homazhet për politikanin e njohur e të shumëvlerësuar republikan kanë vërshuar nga të gjitha anët, përfshirë kampin demokrat.
Ish-zëvendëspresidenti Joe Biden tha se arsyeja që vdekja e senatorit John McCain i ka prekur aq shumë njerëzit, është se ata e njihnin besimin e tij të thellë tek shpirti i Amerikës.
Politika, shtoi Biden, nuk ishte gjëja më kyçe për senatorin e ndjerë, ishin vlerat themelore ato që kishin rëndësi.
Pas homazheve të premten në Capitol, ceremonitë vazhdojnë të shtunën në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, ku do të flasin edhe ish-presidentët Barack Obama dhe George W. Bush. McCain, që ndërroi jetë në 25 gusht pas një beteje të gjatë me kancerin, do të varroset të dielën në Akademinë e Marinës në Anapolis të Merilendit, vendi ku kreu studimet.
Me herët ndërkohë një numër i madh artistësh i bënë nderimet e tyre legjendës së muzikës, Aretha Franklin me një koncert përkujtimor në Detroit. Më shumë se 40 muzikantët e yjeve të showbizit pushtuan skenën në të cilën u ftuan dhe njerëz nga publiku që të këndonin se të gjithë së bashku këngët-himn të asaj që njihet si “mbretëresha e muzikës soul”.