Çfarë fshihet pas vajzës me sy të kaltër



Autoritetet kërkuan me kujdes trupin e saj, për të gjetur ndonjë dokument identifikimi, por nuk gjetën asgjë. Pak ditë para Kërshëndellave, më 23 dhjetor të vitit 1933, një vajzë e re e veshur me një fund të kaltër dhe me një bluzë të bardhë, me një shami në qafë, ishte parë duke udhëtuar me autobus, e vetme. Më pas, ajo kishte kërkuar informata për të shkuar në Erie, Pensilvani dhe Elmira, Nju- Jork. Më pas ajo kishte blerë një biletë për Uilloubi. Pasi kishte mbërritur aty, ajo ishte takuar me një zotëri, i cili e kishte çuar atë deri te bujtina e zonjës Mary Judd, në qendër. Pasi arriti në bujtinë, ajo ra për të fjetur. Të nesërmen ajo zbriti në restorantin që gjendej në katin e parë. Me këtë rast, zonja Judd i tregoi asaj si të shkonte te stacioni i autobusëve dhe te kisha. Vajza e re doli në qytet dhe u kthye një orë më pas. Posa u kthye në bujtinë, menjëherë shkoi te dhoma e saj. Zbriti më pas me valixhen e saj, pagoi dhe falënderoi pronaren e bujtinës, duke ia dorëzuar çelësin e dhomë.
Vdekja Vajza shkoi një bllok më në jug sesa ku gjendej bujtina. Ajo vazhdoi poshtë rrugës derisa arriti në fund të rrugës. Më pas ajo hyri në një zabel të drurëve të panjës. Kur doli në anën tjetër të malit, vajza lëshoi valixhen e saj dhe u nis me vrap drejt hekurudhës. Në atë moment ishte duke ardhur një tren që shkonte në Nju- Jork. Vajza u godit nga treni dhe kur ra në tokë, tanimë kishte vdekur.
Kufoma Kur u mor trupi i saj i pajetë nga autoritetet lokale, ata mbetën të habitur, meqë në trupin e saj nuk kishte as shenja gjaku, e as shenja të ndonjë lëndimi. Ata kërkuan me kujdes trupin e saj, për të gjetur ndonjë dokument identifikimi, por nuk gjetën asgjë. Duke kërkuar në çantën e saj, ata gjetën 90 centë dhe një biletë treni për në Kori. Gjetën edhe gjësendet e rëndomta të një femre, sikur që është grimi, shamitë, etj. Por, ata nuk gjetën asgjë që do të tregonte identitetin e vajzës, apo motivin e saj për vetëvrasje. Autopsia tregoi se vajza kishte vdekur nga goditja e trenit, respektivisht nga thyerja e kafkës. Mosha e saj supozohej të ishte rreth 23. Kishte flokë të kuq dhe sy ngjyrë gështenje. Kishte dhëmbë të rregullt dhe eshtra të lartë të mollëzave të faqeve. Dukej sikur të kishte origjinë të huaj, jo amerikane.
Funerali Shumë njerëz morën pjesë në funeralin e Vajzës në të kaltra, por askush nuk dinte identitetin e saj. Rrëfimi rreth fundit tragjik të saj filloi që të dilte në shumë gazeta. Përkundër shumë thirrjeve të personave me familjarë të zhdukur, asnjëri nuk tha se vajza ishte familjari i tyre. Vajza u varros në varrezat në Uilloubi, nën drurin e një pishe. U mblodhën para dhe asaj iu vu një gur te koka, me mbishkrimin: Vajza në të kaltra E vrarë nga treni 24 dhjetor, 1933 E panjohur, por jo edhe e harruar. Në dhjetor të vitit 1993 u zbulua identiteti i saj i vërtetë, pasi “The Neës-Herald” publikoi një artikull rreth përvjetorit të vdekjes së Vajzës në të kaltra. Këtë artikull e kishte lexuar edhe agjenti i patundshmërive nga Pensilvania, Ed Sekerak, i cili ishte i përfshirë në shitjen e ish- fermës familjare të familjes Klimczak në Spring Krik. Ai tha se vajza e mistershme ishte Josephine Klimczak. Por, përkundër kësaj, mbeti e paqartë se a kishte dashur ajo të bënte vetëvrasje, apo kishte vrapuar për ta zënë trenin. Po ashtu, mbeti i paqartë shkaku i vizitës së saj në Uilloubi.