CIA zbardh prapaskenat, ja pse u prishën marrëdhëniet Shqipëri-Kinë, Enver Hoxha nisi sulmet ndaj aleatëve pas vdekjes së Mao Ce Dunit, si përzuri zyrtarët e Pekinit

283

Shërbimi i Inteligjent Amerikan ka zbardhur prapaskenat e prishjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë komuniste dhe Kinës. Në një raport të deklasifikuar ditët e fundit, CIA tregon me detaje si nis bashkëpunimi midis dy vendeve dhe sinjalet e para që tregonin se gjithçka po merrte fund. Aty thuhet e pas vdekjes së Mao Ce Dunit, Enver Hoxha nisi sulmet ndaj Kinës, duke e akuzuar se po synonte të afrohej me vendet perëndimore. Nga ana tjetër, sipas CI, një arsye e fortë ishte se Kina pasi ndërroi pushtet filloi të ndërpriste ndihmat financiare për Shqipërinë gjë që nuk u mirëprit nga Enver Hoxha. Në dokument jepet dhe një analizë se çfarë prisnin amerikanët të ndodhte pas prishjeve të marrëdhënieve, ku shihej si mundësi ideja e hapjes së vendit drejt perëndimit. Kështu ndodhi, por kjo shumë vite më vonë. Më poshtë raporti i plotë i CIA.

Prishja Shqipëri-Kinë

Përkeqësimi i shpejtë i lidhjeve të Shqipërisë me Pekinin ngre për herë të parë mundësinë e ndarjes mes dy aleateve të ngushta. Provat aktuale nuk janë të mjaftueshme për një shpjegim të plotë të motivimit shqiptar për ndarjen, por ka sinjalizime se Tirana po punon për një strategji të re në rast të humbjes së mbështetjes politike dhe materiale, siç është ajo e Kinës këto 16 vitet e fundit. Duke marrë parasysh pozitën strategjike gjeografike të Shqipërisë, kursi i saj i ardhshëm është me interes për të gjithë fqinjët e saj mesdhetarë. Bashkimi Sovjetik, i cili ka qenë aleat i Tiranës deri në vitin 1961, mund të përpiqet të përfitojë nga përçarja për të rivendosur influencën e tij politike në Shqipëri, por me shumë gjasa kjo do të refuzohet. Nëse sovjetikët ia dalin me sukses, “statur quo-ja” e Ballkanit mund të trazohet pasi fqinjët e saj Jugosllavia, Greqia e Italia mund të ndjehen të kërcënuar për sigurinë e tyre. Të nxitur nga ksenofobia dhe ideologjia radikale, lidershipi shqiptar e ka mbajtur vendin në izolim dhe gjatë 16 viteve të fundit ka qenë totalisht i varur nga Kina për ndihmë ekonomike e industriale. Përpjekjet e Tiranës për një riorientim të politikës së jashtme janë shoqëruar gjithmonë me trazira të brendshme të lidershipit. Spastrimet masive të stabilimentit kulturor, ushtarak dhe ekonomik që prej vitit 1973 kanë lënë pak prova për konfliktet e brendshme. Garda e vjetër komuniste me në krye shefin e partisë Hoxha mban frerët e pushteti, por funksionarët e rinj që kanë hyrë në strukturën e pushtetit pas spastrimeve mund të pritet të japin shenjat e tyre në favor të hapjeve. Me gjithë njohuritë tona të kufizuara për zhvillimet brenda Shqipërisë, dallohen disa tendenca të reja. Marrëdhëniet kino-shqiptare janë në nivelin më të ulët ndonjëherë, por Tirana mund të përpiqet t’i shmanget një prishjeje finale me Pekinin. Nëse ndarja ndodh vërtet, regjimi do të përpiqet të gjejë të tjerë aleatë duke nisur një përmirësim gradual të lidhjeve me një numër vendesh, ndoshta përfshi dhe ato perëndimore të industrializuara. Por lidhjet e reja kanë kufizimet e tyre. Që prej prishjes me Moskën shqiptarët janë të fiksuar te kërcënimi sovjetik ndaj sigurisë së tyre. Iniciatori i prishjes, Hoxha, dhe pjesa tjetër e udhëheqjes do të mbeten skeptikë ndaj afrimit me BRSS. Për momentin nuk ka shenja për interes të Tiranës në afrim me SHBA, por gjithsesi ndryshimet në politika mund të shfaqen gradualisht. Ndryshimet ideologjike së bashku me tensionet etnike e territoriale, parandalojnë normalizimin e lidhjeve mes Tiranës dhe Jugosllavisë, që në rast tjetër duhet të ishte partneri kryesor ekonomik i Shqipërisë. Gjithashtu suksesi i Titos në përmirësimin e lidhjeve me Kinën ka sjellë dyshime për një “tradhti” të këtyre të fundit ndaj Shqipërisë, duke e bërë opozicionin ndaj “revizionizmit” të Jugosllavisë edhe më të ashpër. Nuk pritet në asnjë mënyrë që Perëndimi të zëvendësojë Kinën si protektori ndaj kërcënimeve të sigurisë ndaj Shqipërisë, prej ashpërsisë së idelogjisë së Hoxhës dhe regjimit të tij. Shqipëria përballet me detyrën e ngadaltë e të lodhshme të daljes nga politika e aleancës ekskluzive me Kinën, por alternativat e saj janë shumë të kufizuara. Formimi i një lidershipi më të ri, nëse kjo do të ndodhte, mund t’i hapë derën ndryshimeve në politika, por njohuritë tona janë tepër të fragmentuara për të parashikuar drejtimin e mundshëm të tyre.

Aleanca Shqipëri-Kinë në pikë pa kthim

Në fund të viteve 1960 u dalluan krisjet e para në aleancën kino-shqiptare, të cilat deri një vit më parë ishin mbajtur të fshehta prej këmbënguljes publike te regjimeve për “miqësinë e pandashme” mes tyre. Vdekja e Mao Ce Dun në tetor u hoqi shqiptarëve bamirësin e tyre kryesor, teksa liderët e kuptuan se me ardhjen e Hua Kuo Feng politikat do të bëheshin me pak doktrinare e më shumë pragmatike. Spastrimi i anëtarëve radikalë nga lidershipi i partisë në Kinë, të cilët Tirana i konsideronte si aleatë kryesorë, i nervozoi shqiptarët, të cilët shprehën pakënaqësi ndaj ftohtësisë së Hua. Në fillim të këtij viti Tirana nisi të përdorte disa elementë të lëvizjes Marksiste-Leniniste pro-Pekinit në argumentet e saj kundër tij. Prandaj Kina nisi të paralajmëronte grupimet për ndryshimet e tyre me Shqipërinë. Deri në mesin e verës lidhjet ishin përkeqësuar si asnjëherë më parë dhe shtypi shqiptar nisi sulme të ashpra ndaj bazave të ideologjisë kineze për politikën e jashtme. Tirana ktheu personelin ushtarak që po trajnohej me forcat ajrore të Kinës dhe nis dhe tërheqjen graduale të studentëve në universitetet kineze. Burime të pakonfirmuara thonë se Tirana i ka kërkuar Kinës të tërheqë ekspertët teknikë nga Shqipëria, por për këtë nuk ka prova pasi disa teknikë kinezë janë larguar nga vendi “për pushime” por të tjerë kanë qenë duke ardhur. Tirana ka vazhduar të konvertojë lëvizje të caktuara marksiste-leniniste në ideologjinë e saj, dhe të paktën një prej tyre pretendon se Shqipëria është tashmë liderja e vetme e lëvizjes marksiste-leniniste. Shqipëria thotë se ideologjia kineze është po aq e dëmshme për revolucionin botëror, sa edhe eurokomunizmi. Disa sinjalizime tregojnë se lidershipi shqiptar mund të mos jetë shtytës për prishjen finale por mund të mund të kërkojë bisedime për shtyrjen e përplasjes. Pekini ende nuk ka reaguar.

Origjina e aleancës

Novacionet teorike të Krushovit të parashtruara në kongresin e vitit 1956 u pritën keq nga Tirana dhe Pekini, të cilat ishin skeptike ndaj “rrugës parlamentare” dhe e konsideronin dhunën revolucionare si të vetmin mjet efektiv për “revolucionin”. Ato të dyja i konsideronin politikat e Krushovit për “bashkë-ekzistencën paqësore” me Perëndimin si pengesa kryesore e arritjes së fitores botërore të komunizmit. Gjithashtu duke iu trembur pasojave të brendshme, udhëheqja shqiptare vendosi të ruante kursin stalinist, prandaj në fillim të viteve 1960 Kina dhe Shqipëria u bashkuan nga përçmimi i përbashkët ndaj revizionizmit të Titos. Teksa polemikat e tyre me Titon përkeqësoheshin, shqiptarët po e konsideronin Bashkimin Sovjetik gjithnjë e më shumë si kërcënim. Një nga rezultate e saj ishte nisja e spastrimeve të elementëve miqësorë me Moskën, dhe tjetri ishte afrimi me Pekinin për mbështetje. Për Kinën fillimisht afrimi i Shqipërisë ishte një mundësi për zgjerimin e politikave të tyre dhe lidhja me një aleat në rajonin e sferës sovjetike, megjithë barrën ekonomike të mbështetjes. Por ndryshimet nisën të dukeshin në fund të viteve 1960 kur Kina nisi kërkimin e aleatëve të tjerë ndërkombëtarë, përfshi dhe aleatë të NATO-s, çka nisi të trembë shqiptarët, të cilët i konsideruan këto neglizhim të parimeve revolucionare. Mao Ce Dun rishikoi pikëpamjet e tij statusin e superfuqive dhe tha se megjithë vazhdimin e luftës në Azinë juglindore, SHBA ishte një rrezik më i vogël për Kinën në krahasim me Bashkimin Sovjetik. Si rezultat i kësaj, Pekini nisi të afrohej me SHBA, çka u dënua nga shqiptarët. Tirana argumentonte se nuk është e lejueshme “të anosh nga një imperializëm për të kundërshtuar një tjetër. Tirana thoshte se rreziku nga dy superfuqitë ishte i njëjtë dhe pretendonte se kishte “bashkëpunim të fshehtë” mes Moskës e Ëashingtonit, në dëm të lëvizjes komuniste. Gjatë viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970 Shqipëria ishte tejet e varur nga asistenca ekonomike kineze që prej viti 1961 kishte kaluar 900 milionë dollarë. Por deri në vitin 1975 nisën të dukeshin efektet e reduktimit të ndihmës. Shqipëria duhet të importonte nga jashtë thuajse të gjithë makineritë dhe pajisjet, çelikun e ndërtimit, fertilizuesit. Më shumë se gjysma e importeve vinin nga Kina, ose shteti kinez që i blente në tregje të tjera për Shqipërinë. Reduktimin e ndihmës Shqipëria e konsideroi si një konfirmim të dyshimeve të saj për oportunizmin e Pekinit. Gjithsesi lidhjet me Kinën mbetën në dukje miqësore deri në vdekjen e Mao Ce Dun. Një muaj më pas Enver Hoxha, në një raportim në kongresin e partisë shfaqi kritikat ndaj politikës së jashtme kineze dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ndaj afrimit të saj me Perëndimin. Masa e dëmit në lidhjet mes vendeve u bë publike vetëm korrikun e kaluar, pas një shkrimi në shtyp ku sulmohej ashpërsisht teoria e “tre botëve”, që sipas autorit, kishte qenë baza e politikës së jashtme të Kinës prej fundit të viteve 1960-të. Tirana tha se teoria është anti-Marksiste dhe dëmtonte entuziazmin revolucionar të proletariatit. Meqenëse teoria ishte themeluar nga vetë Mao Ce Dun, atëherë kjo u kthye edhe në një prishje të njohjes së Tiranës për Maon, si lider i marksizmit modern, i barabartë me Marksin, Leninin, Engeklsin dhe Stalinin. Një muaj pas sulmit të hapur, mediat shqiptare nisën të aludonin për bashkëpunim të Kinës me eurokomunizmin. Shqiptarët aludonin se teoria e tre botëve ishte e ngjashme me konceptet eurokomuniste dhe i shërbente ngatërrimit të proletariatit duke larguar vëmendjen nga lufta e klasave, në kundërshtim me teorinë e revolucionit dhe mësimet e marksizëm-leninizmit.

Përçarja në lëvizjen marksiste-leniniste

Edhe para vdekjes së Maos, lidhjet mes Tiranës dhe Pekinit ishin gjymtuar nga vlerësime konfliktuese ndaj rëndësisë së partive të vogla marksiste. Pas revolucionit kulturor përpjekjet e Kinës për lidhje me Perëndimin kishin zvogëluar rëndësinë e lëvizjes marksiste-leniniste në Pekin. Kontaktet me partitë e tjera komuniste gjatë kësaj periudhe u ishin lënë elementëve radikalë të udhëheqjes. Ndërsa Shqipëria në kontrast me Kinën vazhdonte t’i konsideronte ato si aleatë të rëndësishëm. Deri në mesin e viteve 1970, Tirana po kthehej në një organizatore ideologjike të këtyre vendeve, veçanërisht të Amerikës Latine dhe Evropës, duke tentuar të kthehej në qendër shpirtërore të lëvizjes, vend që më parë e kishte mbajtur Pekini. Tanimë Shqipëria po përdorte rrethin e saj të partive aleate për të shprehur kundërshtimet ndaj politikave të Pekinit dhe arritën të krijonin ndarjet e aleatëve me Pekinin. Liderët kinezë po ndërgjegjësoheshin ndaj kësaj sfide të Shqipërisë dhe nisën propagandën e tyre duke e quajtur të gabuar qasjen shqiptare. Pekini po i kushton përsëri vëmendje vendeve të vogla komuniste besnike ndaj tij.

Motivimi

Nuk është e qartë se përse Shqipëria nisi të sfidojë Pekinin, por veprimet e saj janë gjithnjë e më të pakujdesshme dhe mund të çojnë në humbjen e plotë të asistencës së Kinës. Ndoshta sensi i theksuar i pavarësisë nga fuqitë e huaja, qoftë dhe nga aleatë si Kina e Bashkimi Sovjetik, i ka bërë të ndjehen se ato po ndërhyjnë në punët e brendshme. Në fillim të këtij viti Tirana ka aluduar se Kina ka kontaktuar me elementë të spastruar të partisë. Ajo gjithashtu mund të jetë e zhgënjyer nga neglizhimi i vëmendjes së Kinës dhe përmirësimi i dialogut të saj me Jugosllavinë, revizionizmi i së cilës është një anatemë e partisë komuniste shqiptare dhe ka shtuar zemërimin e Shqipërisë. Shqipëria gjithashtu e merr shumë seriozisht politikën e jashtme parimore përballë asaj që ata quajnë stil oportunist të Kinës me Perëndimin dhe SHBA. Një tjetër arsye mund të jetë reagimi ndaj barrës së shtuar ekonomike pas reduktimit të asistencës kineze, për të cilën shqiptarët mendojnë se vjen si rezultat i oportunizmit të Kinës. Por në krahasim me kontratat e rëndësishme të Kinës me qeveritë e tjera, ajo e konsideron mbështetjen e dobët dhe të paefektshme të partive komuniste si më pak të rëndësishme. Gjithsesi Pekini vihet në siklet nga akuzat e Tiranës për oportunizëm dhe devijim nga linja e pastër komuniste. Por me burimet e saj superiore financiare Pekini ka mundur të manovrojë duke bërë për vete parti kukulla për të balancuar influencat. Suke u hequr si superiorë ndaj sfidës së Shqipërisë, ata po ruajnë opsionin e reagimit për kohën më të volitshme dhe reagimet aktuale do të jenë të tërthorta ose thjesht paralajmërime.

Trazira e brendshme në Shqipëri

Me gjithë pamjen e jashtme të një stabiliteti politik në Shqipëri, ka prova për trazira brenda lidershipit. Katër vitet e fundit një numër i madh zyrtarësh të nivelit të mesëm dhe të lartë, duke përfshirë dhe anëtarë të byrosë politike janë larguar me akuza diversioni. Spastrimet e kryera në tre faza kanë gjymtuar stabilimentin kulturor, ushtarak dhe ekonomik të vendit. Kuptimi i plotë i spastrimeve nuk është i qartë por duket se zyrtarët janë përfshirë në një shprehje të pakënaqësisë të nivelit të lartë ndaj politikave të Hoxhës dhe vështirësive ekonomike. Kohët e fundit ka sinjalizime se pushteti po përgatitet për të tjera spastrime, kësaj radhe viktimat pritet të identifikohen publikisht si kundërshtarë të regjimit. Drejtimi i partisë po plaket dhe autoriteti bashkë me shëndetin e Hoxhës po reduktohen, prandaj udhëheqja mund të jetë nën presion nga elementë më të rinj që kanë hyrë në hierarkinë e saj. Megjithëse pasoja në politika nuk mund të duken së shpejti, ne presin që kjo klasë e re liderësh të lërë shenjën e saj.

Comments